Vetëvendosja, dega në Tiranë e kësaj lëvizjeje u është bashkuar zërave për protesta. Drejtuesit e kësaj lëvizjeje kanë bërë thirrje për protesta, duke deklaruar se “Të gjithë për Teatrin, Teatri për të gjithë”
Sipas tyre, sot në orët e para të mëngjesit kulmoi krimi institucional në mes të Tiranës, pas një kalvari shkeljesh ligjore dhe kushtetuese. Qindra forca policore u futën dhunshëm në hapësirat e Teatrit Kombëtar për të larguar qytetarët që kanë qëndruar 27 muaj në mbrojtje të këtij kompleksi ndërtimor pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe evropiane.
Me armë zjarri automatike, me sprej piperi dhe me gaz lotsjellës policia ka ndërhyrë duke dhunuar e arrestuar shumë prej protestuesëve – shkruhet në një deklaratë të bërë publike nga “Vetëvendosje”, dega e Tiranës.
“Kërkojmë njëzëri lirimin e të gjithë qytetarëve të arrestuar. Njëkohësisht i kujtojmë publikut të gjerë se kompleksi i Teatrit Kombëtar është dokumentuar në çdo centimetër në dosjen e dorëzuar pranë organizatës “Europa Nostra” që e ka shpallur muajin e kaluar Teatrin Kombëtar si vlerë e përbashkët evropiane.
Në këto raste qytetarët ngrihen në këmbë e bashkohen aty ku vazhdon qëndresa, aty ku do ndërtojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës: te Teatri. Protesta e qytetarëve kundër dhunës dhe arrogancës vazhdon.