Policia e shtetit po vazhdon të zbardhë ngjarjen e ndodhur në 17 janar ku u rrëmbye dhe u eliminua në mënyrë makabre 49 vjeçari Jan Prenga.
Ndërkohë mësohet se vëllai i Jani Prengës, Astrit Prenga, e ka dorëzuar pjesën e mallit që pengmarrësit i kërkonin dhe 700 mijë eurot, por vëllai i tij nuk u dorëzua më as i gjallë dhe as i vdekur.
Nga rrëfimi i vëllait tjetër të pengut të zhdukur (Anton Prenga), përmendet edhe një shtetas polak. Dëshmitari tregon se pas negociatave me Gramoz Rexhepin, ai u ka thënë “unë ju jap besën, ktheni pjesën tuaj të kokainës nga Astriti dhe Gëzim Shullani, se do lirohet pengu” shkruan tch.
Astrit Prenga dhe Gezim Shullani kanë kthyer pjesën e tyre prej 106 kg kokainë në Londër, duke e dorëzuar te disa shtetas nga Polonia, të dërguar nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçi. Unë nuk e di, shton dëshmitari, se kujt ia dorëzoi vëllai (Astriti) kokainën, por ai më tregoi se bashkë me të ka dorëzuar edhe 700 mijë paund.
Ditën e hënë, në datën 22 janar, pra, pesë ditë nga rrëmbimi, Gramoz Rexhepi ka telefonuar vëllain e pengut, Ndrek Prenga (që gjendet në burg). Brenda dy orësh mësohet të ketë thënë nga Ekuadori Rexhepi se vëllai do lirohet. Por kur kjo gjë nuk ka ndodhur, dëshmitari tregon se janë kryer sërish telefonata me Ekuadorin dhe aty Rexhepi ka deklaruar “më kanë lëvizur nga fjala ata personat, unë të detyrohem të të jap emrat e tyre që kanë organizuar dhe kryer pengmarrjen, ata quhen Gentjan Doçi, Gentjan Bleta dhe Korado Doda”.