Gjykata e Beratit ka liruar nga burgu 17 vjeçarin Davide Kovaçi, i akuzuar se u bë shkak për vetëhelmimin me pesticide të një 16 vjeçareje.
Ngjarja ka ndodhur tetë muaj më parë, ndërsa u vetëhelmua 16- vjeçarja Adela Çaçi.
Sipas Gjykatës së Beratit, lirimi i të riut dhe pushimi i çështjes në ngarkim të tij u bë pasi nuk ka pasur prova në celularin e 17-vjeçarit që e përfshijnë në ngjarjen e rëndë të ndodhur rreth një vit më parë.
Atë kohë, në telefonin e vajzës kishte mesazhe dhe thirrje të vazhdueshme nga 16-vjeçari, i cili e kërcënonte se do t’i publikonte një video komprometuese që ai dispononte.
Prindërit e vajzës kishin disi dijeni në lidhje me këto kërcënime, pasi një ditë para se të pinte lëndë helmuese, vajza u kishte treguar se ndihej e shqetësuar nga shoku i gjimnazit. Ndërkohë, në Polici ata nuk kishin bërë asnjë denoncim.
E regjistruar për shqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, çështja penale për “Shkaktimin e vetëvrasjes” në ngarkim të 17- vjeçarit Davide Kovaçi është pushuar.
Kjo çështje mbërriti për kompetencë në Gjykatën e Beratit nga Gjykata e Vlorës për moskompetencë. Davide Kovaçi akuzohej se pas kërcënimeve që i kishte bërë 16-vjeçares Adela Çaçi se do t’i publikonte foto intime, kishte shkaktuar vetëvrasjen e saj.