U dëbua nga Shqipëria, Turqia merr masën e parë ndaj mësuesit Harun Çelik

Me të mbërritur në vendin e tij pas deportimit nga Shqipëria, Gjykata në Turqi ka dhënë masën e paraburgimit për të dyshuarin e organizatës terroriste FETO, Harun Çelik, i cili dy ditë më parë u deportua nga Shqipëria në Turqi, raporton Anadolu Agency.

Çelik, i cili u arrestua në kuadër të një hetimi të Kryeprokurorisë Publike të Stambollit, pas përfundimit të procedurave në Policinë e Stambollit u transferua në një gjykatë me kërkesë të kryeprokurorisë.

Gjykata vendosi të shqiptojë masën e paraburgimit me akuzat për “pjesëmarrje si anëtar në organizatë të armatosur terroriste”. Më herët ka qenë i dënuar disa muaj në Shqipëri, pasi u arrestua në aeroport për veprat penale “falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “falsifikim i dokumenteve”.

Pavarësisht se ka pretendime se depërtimi i Çelik në drejtim të Turqisë, bëhet jashtë ligjit dhe në shkelje të Konventave Europiane, policia e shtetit deklaron se gjithçka është kryer konform ligjit.

Sipas Policisë Çelik para 6 muajsh ka tentuar të kalojë nga pika e kalimit kufitar të Rinasit me dokumente kanadeze, dhe për këtë ka vuajtur dënimin në Shqipëri, dhe më pas nuk ka kërkuar azil.

Çelik, akuzohet nga autoritetet turke si pjesë e grupit të Fethullah Gylen dhe ndaj tij ka një proces penal në Turqi.


Shtuar 3.01.2020 18:36