Këshilli i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut shkarkoi të mërkurën kryetarin e këtij institucioni, Sulejman Rexhepi.
Në deklaratën e myftiut të Gostivarit, Shaqir Fetahu, thuhet se Rexhepi u shkarkua nga detyra për shkak të shkeljes së Kushtetutës së BFI-së, respektivisht nenit 36.
Në këtë nen, veç tjerash, thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij janë në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI-së, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI-së, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së”.
Vendimi për shkarkimin e Rexhepit vjen pas një sërë veprimesh nga ai, që kanë nxitur reagime në opinionin e gjerë, përfshirë edhe martesën.
Mediat vendase gjithashtu shkruajnë se me 9 maj Rexhepi ka tërhequr 1 milion euro para kesh nga Bashkësia Islame e Maqedonisë, pa ndonjë arsyetim për shkakun e veprimit të tij.