Zbardhet plagosja e 31-vjeçarit tre ditë më parë në afërsi të stadiumit në Patos. Arrestohet një prej autorëve dhe shpallen në kërkim katër të tjerë.
Sipas bluve, këta shtetas “në datën 17.08.2020, rreth orës 19:00, në afërsi të Stadiumit në Patos, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë tentuar të rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin K. S., i cili ka mbetur i plagosur dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve’.
NJOFTIMI
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e datës 17.08.2020, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. S., 31 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe i punës hetimore intensive, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e një prej autorëve dhe shpalljen në kërkim të katër autorëve të tjerë. Konkretisht u arrestua shtetasi:
Xh. S., 24 vjeç, banues në Patos.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve:
E. S., 28 vjeç; V. S., 23 vjeç; A. S., 24 vjeç dhe K. S., 32 vjeç, të katërt banues në Patos.
Këta shtetas, në datën 17.08.2020, rreth orës 19:00, në afërsi të Stadiumit në Patos, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë tentuar të rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin K. S., i cili ka mbetur i plagosur dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve.
Për këtë ngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja pistolete, si edhe 4 automjete të autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë” , “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit e mbetur në tentativë” të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.