Tenderat sekret, Ministria e Shëndetësisë reagon ndaj SPAK: Jemi të hapur

SPAK të premten ka ridërguar sërish një shkresë në Ministrinë e Shëndetësisë për marrje informacioni për tenderat sekret, pasi nuk kanë marrë përgjigje. Në lidhje me këtë ka ardhur edhe një reagim nga ministria e Shëndetësisë ku thuhet se janë të hapur për organet e drejtësisë.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, më datë 8 Maj 2020 është firmosur shkresa përcjellëse (faksimile bashkëlidhur) me dokumentacionin e të gjitha procedurave të kërkuara nga organet e drejtësisë.

“E vërteta është se asgjë nuk është fshehur dhe dosjet janë në dritën e diellit. Që prej datës 27 Prill, në Ministrinë e Shëndetësisë po vijon punën Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të gjitha procedurat e zhvilluara në situatën e pandemisë, për mjetet e nevojshme për mbrojtjen e stafeve mjekësore dhe aparaturat jetëshpëtuese për pacientët e prekur nga COVID19.” thuhet në deklaratën e ministrisë së Shëndetësisë.

Njoftimi nga Ministria e Shëndetësisë:

Në vijim të një artikulli të botuar sot në media, informojmë qytetarët se në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, më datë 8 Maj 2020 është firmosur shkresa përcjellëse (faksimile bashkëlidhur) me dokumentacionin e të gjitha procedurave të kërkuara nga organet e drejtësisë.

Siç e kemi deklaruar nga dita e parë, jemi të hapur për hetime nga organet e drejtësisë. E vërteta është se asgjë nuk është fshehur dhe dosjet janë në dritën e diellit. Që prej datës 27 Prill, në Ministrinë e Shëndetësisë po vijon punën Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të gjitha procedurat e zhvilluara në situatën e pandemisë, për mjetet e nevojshme për mbrojtjen e stafeve mjekësore dhe aparaturat jetëshpëtuese për pacientët e prekur nga COVID19.

Stafi i Ministrisë së Shëndetësisë ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin që i është vënë në dispozicion Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të njëjtën gjë po bën edhe me SPAK.

Ministria e Shëndetësisë shpreh edhe një herë gatishmërinë për bashkëpunim me organet e drejtësisë, duke i vënë në dispozicion dokumentacionin e plotë.


Shtuar 10.05.2020 09:49