Teknologjia Digjitale për Trashëgiminë Kulturore (VIDEO)

Trashëgimia kulturore, si aseti më i madh kombëtar, jo vetëm duhet ruajtur por edhe duhet promovuar. Gjithmonë e më shumë, ekspertët e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore po i drejtohen përdorimit të teknologjisë digjitale për këtë qëllim.

Në këtë kuadër, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike – UPT dhe nën koordinimin e Universitetit Politeknik të Barit kanë punuar bashkërisht për evidentimin dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore nëpërmjet përdorimit të teknologjisë digjitale 3D, në ciësinë e partnerëve të projektit 3D-IMP-ACT.

Ky projekt synon promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e vlerave të integruara natyrore dhe kulturore të monumenteve dhe zonave të trashëgimisë kulturore. I përzgjedhur si një nga rastet studimore të këtij projekti, është dhe Buleterioni, një nga monumentet më emblematikë të qytetit antik të Apollonisë, simbol i qytetit të Apollonisë që në Antikitet, atëherë kur Apollonia e Ilirisë cilësohej si më e bukura ndër 30 Apollonitë antike. Restaurimi i këtij monumenti nën drejtimin e Koço Zhekut (vitet ’70), mbetet pikë reference për restauratorët e rinj.

Sot, i digjitalizuar nëpërmjet teknologjive 3D dhe i vizitueshëm nëpërmjet tureve virtuale, mund të shijohet nga çdo pajisje në rrjet. Historinë e veçantë të këtij monumenti, mund ta shijoni në videon promovuese të realizuar në kuadër të projektit 3D-IMP-ACT. /albeu.com/


Shtuar 16.06.2020 21:30