Të duart e shtetit apo privatit, si do të përfundojë Butrinti?

Ndonëse dokumenti i hartuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës i njohur si “Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, ka marrë dritën jeshile nga Këshilli i Ministrave qysh korrikun e këtij viti, ku një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit e ndoshta nga të rrallët e të vetmit që gjeneronte para me shitjen e biletave, shumë i vizitueshëm kryesisht muajve të verës, në dhjetë vite do të menaxhohet nga një fondacion i ri, ministrja Margariti mohon që ky është një koncension.

“Nuk ka koncesion. Koncesion për sa kohë ne nuk kemi një shoqëri private, e cila të marrë në përdorim një pjesë të një aseti shtetëror, nuk jemi aspak në një formulë të tillë, por ne jemi në një formulë bashkëpunimi, krijimin e fonacioneve të posaçme që mirëmenaxhojnë sitet kulturore, ku gjithmonë Ministria e Kulturës është pjesë e këtyre donacioneve, shteti shqiptar është lider në krijimin e strukturave të reja të menaxhimit. Fondacioni është fondacion jofitimprurës. Qëllimi primar është që të mirëmenaxhojë fondet e Butrinit, që të mund të investohet më tepër. Nuk po flasim për koncesion, por fondacion që mbetet OJF”, do të siguronte ajo.

Kryeministri Ramadhe ministrja e Kulturës, Ela Margariti
Partneri strategjik për të cilin flet ministrja Margariti është “Fondacioni Shqiptaro –Amerikan, që sipas bashkëdrejtuesit të tij, Martin Mata, nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë në qëllimin e vet as privatizimin, as marrjen me koncesion dhe as administrimin e Parkut të Butrintit. “Marrëdhënia që ka Fondacioni me Shqipërinë është e mirërregulluar deri në detaje” , ka siguruar edhe ai.

Kreu i AAFD, Martin Mata
Sipas Matës shteti nuk lihet mënjanë. “Ne do të ndihmojmë për sjelljen e modeleve më të mira që janë në botë, menaxhime të pavarura. Në Shqipëri është sjellë një model që ofron shumë, duke lënë në krye të procesit ministrinë e Kulturës, një model që deri më sot Butrintit nuk e ka pasur”. Si shembuj suksesi Mata ka marrë Pazarin e Tiranës, Krujës, Gjirokastrës, apo në të ardhmen Piramida, modele të sjella nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan.

“Ne ndihmojmë sjellim praktikat më të mira, detyra jonë është të dalim në botë dhe të shikojmë modelet që kanë funksionuar” , do të thoshte ai, ndërsa ka numëruar mangësitë që ka menaxhimi i Parkut të Butrintit, si gjenerator kamera sigurie, bileta elektronike. “Menaxhimi, sipas Martinit “nuk ka të bëjë me shtimin e numrit të vizitorëve për shkak të kapacitetit që ka vetë siti, por rritjen e cilësisë së shërbimit.Fondacioni që do të marrë në menaxhim për dhjetë vitet e ardhshëm sitin e trashëgimisë kulturore do të derdhë miliona dollarë, sipas fjalëve të Matës.

“Butrinti ka nevojë për 7 milionë dollarë. Në dijeninë time tani gjeneron 500 mijë dollarë”, ka thënë Mata në një intervistë televizive.Për të bindur se nuk bëhet fjalë për një koncesion apo PPP që na në thelb të jetë fitimprurëse, Mata ka thënë se plani i menaxhimit është dërguar edhe në Unesco.“Në UNESCO shkuam me ekipin e ministrisë së Kulturës duke qenë se ishim potencialisht donatori strategjik. Interesi i UNESCO ishte të njiheshin nga afër çfarë interesi ka fondacioni për të hedhur paratë. Në ëndrrën tonë, është që Butrinti të bëhet Davosi i trashëgimisë kulturore”.

Sipas drejtoreshës së UNESCO-s, Mechtild Rössler, ky plan-projekt iu paraqit Qendrës së Trashëgimisë Botërore në Tetor 2019 dhe u shqyrtua nga Organet Këshilluese, ICOMOS dhe IÇROM. “Rishikimet Teknike iu transmetuan Shtetit në Dhjetor 2019 për t’i marrë parasysh”, ka komentuar shefja e UNESCO-s.

Një draft i rishikuar i Planit të Menaxhimit të Integruar 2020-2030 u soll nga Shtet në Janar 2020. “Pyetje shtesë iu dërguan Shtetit në Shkurt 2020 pas takimeve, e po ashtu edhe një Rishikim i dytë Teknik nga ICOMOS iu transmetua Shtetit në Qershor 2020 me një kërkesë për ta mbajtur Qendrën e Trashëgimisë Botërore të informuar se si merren parasysh këto komente”. Rössler ka thënë se UNESCO i ka bërë vërejtjet e veta, ndërsa përgjegjësia e menaxhimit të parkut bie mbi qeverinë shqiptare.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërkombëtar të Monumenteve dhe Siteve Giora Solar
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm i Këshillit Ndërkombëtar të Monumenteve dhe Siteve Giora Solar, menaxhimi i siteve kulturore duhet të bëhet nga një organizatë qeveritare, si një praktikë normale në shumë vende.

“Shumë vende kanë një sistem kombëtar për të menaxhuar trashëgiminë kombëtare dhe kulturore. Qofshin parqe kombëtare ose të tjera organizata. Ato janë organizata kombëtare dhe kjo është rruga më e zakonshme për të menaxhuar sitet”, është shprehur ai duke thënë se të gjitha autoritetet apo agjencitë për menaxhimin e parqeve të tilla, duhet të jenë qeveritare.Solar është shprehur se në Shqipëria ekziston ekspertiza vendase në menaxhimin e siteve kulturore.

Një nga kundërshtarët më të zëshëm ndaj këtij hapi për t’ia dhënë në menaxhim Parkun e Butrintit një strukture të huaj, ka qenë Auron Tare, ish-drejtor i Parkut Kombëtar të Butrintit.

Tare thotë se plani është hartuar nga tre ekspertë që nuk e njohin Butrintin dhe se nuk janë pyetur specialistët shqiptarë të fushës.

“Kemi propozuar për të krijuar një trust shqiptar me ekspertë shqiptarë. Kemi 100 vjet eksperiencë në menaxhimin e siteve. Jo fondacion i thuaj, AADF është në konflikt interesi, është bankë e regjistruar në Delaware. Ka paguar për të ndryshuar ligjin. Ka marrë një kompani në Angli me një ekspertizë shumë të vakët për të bërë një plan menaxhimi për Butrintin”, është shprehur Tare, i cili më herët ka qenë edhe drejtor i Parkut Arkeologjik të Butrintit.

Sipas tij, megjithëse Ministria e Kulturës mund të mos jetë e aftë ta menaxhojë Parkun, vendi ka shumë ekspertë që mund ta bëjnë.“Nuk kemi luksin që t’ia japim të huajve në menaxhim Butrintin. Trashëgimia ka nevojë për një vizion të ri menaxhim. Në burokracinë e shteti shqiptar ka shumë pengesa në menaxhimin e trashëgimisë shqiptare. T’i mund të japësh një port me koncesion, por nuk mund të japësh trashëgiminë kulturore. i gjithë problemi nis me ligjin dhe krijon premisat që vetë AADF të krijoi një plan menaxhimi dhe ka një problem të madh me konfliktin e interesit”, është shprehur në një tjetër rast Tare.

Mbi debatin e krijuar ka reaguar edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, duke ironizuar mbi fjalët e bashkë-kreut të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Martin Mata.“Më në fund dëgjuam edhe përfaqësuesin e Fondit Shqiptaro-Amerikan, i cili na tregoi se si shqiptarët janë të gatshëm të ndajnë edhe farën e kosit mes tyre dhe për këtë arsye, ky Fondacion kërkon të marrë në administrim Butrintin!

Z. Mata, i cili për mbi gjysmën e intervistës konfirmoi për të gjithë ata që e njohin mirë Butrintin se nuk kishte dijeni, ose nuk tregonte të vërtetën, ëndërron ta bëjë Butrintin si Davos.

Në fakt, në rrëfimin e zotit Mata ne kuptuam se institucionet tona të trashëgimisë janë rrënuar pa kthim, se këto institucione nuk kanë më specialistë, se sistemi i trashëgimisë shihet tashmë vetëm si biznes dhe jo si mënyrë edukimi, kërkimi shkencor, apo forma të tjera të lidhura me trashëgiminë”, shkruan Forumi, duke ironizuar më tej se nuk do të ketë nevojë për një ministër Kulture, pasi gjithçka do të telekomandohet nga zyrat e z.Mata.“Duke i uruar z. Mata ëndërrime të qeta mund t’i konfirmojmë se Butrinti nuk mund të jetë një Davos, por duhet dhe do të mbetet Butrint!”

Ligji i ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë nr. 27/2018, parashikon mënyra të reja për menaxhimin e siteve kulturore, që i lënë hapësirë Ministrisë së kulturës dhe partnerëve të mundshëm strategjikë të themelojnë një fondacion, posaçërisht për menaxhimin e sitit kulturor në fjalë, shkruhet në planin e menaxhimit të Parkut të Butrintit, tashmë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky është model i ri i menaxhimit që është konceptuar në zonën A3.

Ndërsa pasuria do të mbete në pronësi të Qeverisë së Shqipërisë, Fondacioni i Ri, së bashku me anëtarët e bordit të tij, si përfaqësues të qeverisë do të mundësojnë zbatimin e programit të zhvillimit, i cili do të përmirësojë ndjeshëm mbrojtjen dhe promovimin e zonës A3 dhe të gjithë Parkut Kombëtar . Propozohet ngritja e një Autoriteti të ri të parkut, ku anëtarë të jenë edhe përfaqësues nga fondacioni i ri, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe zhvillimit rural, ministria e Kulturës, si edhe përfaqësues të bashkimeve dhe komuniteteve vendore.

Sipas vizionit të hartuesve të planit, Parku Kombëtar i Butrintit do të njihet si lider botëror në menaxhimin e qëndrueshëm të siteve me elemente kulturore dhe natyrore, duke u bërë qendra e ofertës turistike rajonale, duke iu ofruar vizitorëve një eksperiencë unike, nëpërmjet angazhimit të komuniteteve vendase dhe institucioneve financiare për ë vepruar si model për parqe të tjera në Shqipëri dhe do të sjellë përfitime edhe për komunitetet vendase./gazeta Si


Shtuar 25.09.2020 09:38