Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës kanë zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim me delegacionin e Komisionit të Venecias.
I pyetur në lidhje me faktin që mazhoranca nuk e mbështet kërkesën e opozitës për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme, Basha paralajmëroi se:
“Ne sakrifikuam gjithçka për t’i hapur rrugë një zgjidhje politike për shqiptarët. Nëse ata do të vazhdojnë të përdorin në mënyrë të paligjshme paratë e pista dhe të vendos interesat e pushtetit të vet dhe të oligarkëve kundër qytetarëve, atëherë opozita dhe qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një shoqëria europiane për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin.”
Delegacioni i opozitës përbëhej nga Basha, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi dhe ish deputeti Oerd Bylykbashi.
Ndërkaq, anëtarët e Komisionit të Venecias vijojnë takimet faktmbledhëse për çështjen e emërimit të gjyqtarëve dhe ngërçin politik që u krijua me mos emërimin e Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese pasi nuk u njoh si e përzgjedhur nga presidenti.
Gjatë ditës së djeshme në Tiranë ata u takuan me kryeparlamentarin Ruçi, komisionin hetimor për shkarkimin e presidentit, Presidentin e Republikës dhe Vorpsin.
Për këtë çështje, por edhe paketën e ligjeve antishpifje, Komisioni i Venecias pritet të publikojë vendimin më 20 mars.