Strehonin e transportonin emigrantë, në pranga çifti në Korçë

Hetimet një mujore çuan në kurorëzimin e një operacioni të koduar “Agjencia” në bashkëpunim mes policisë së Tiranës, Korçës dhe Elbasanit, ku u vunë në pranga tre persona dhe u shpall në kërkim një tjetër.

Ata akuzohen se kundrejt pagesës ndihmonin shtetas të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Midis tyre një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre, pronarë të një hoteli, në të cilin akomodonin shtetas të huaj dhe më pas me bashkëpunëtorin e dyshuar të tyre, i transportonin drejt Tiranës me qëllime fitimi.

Të arrestuarit janë M. Dvorani, 46 vjeçe, banuese në Korçë, djali i saj V. Dvorani, 25 vjeç, i dënuar më parë për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe N. D., 62 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e N. Dvorani, 59 vjeç, banues në Korçë, bashkëshorti i 46-vjeçares, i dënuar më parë për “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Si rezultat i hetimeve të kryera rezulton se, katër të dyshuarit kanë ndihmuar emigrantë të paligjshëm, fillimisht duke i akomoduar në ambientet e hotelit në pronësi të shtetases M. Dvorani, në lagjen nr. 9, Korçë.

Më pas djali i saj me mjetin tip “BMW-X5” në bashkëpunim me shtetasin N. D., i cili ka në pronësi një autobus transporti udhëtarësh të linjës Korçë-Tiranë, kryenin transportimin e tyre në drejtim të kryeqytetit.

Gjithçka kundrejt fitimit deri në 100 euro ku përfshihej akomodimi në hotel dhe transportimi drejt Tiranës, këta shtetas iu premtonin emigrantëve të paligjshëm, kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së.

Në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, u bë e mundur dokumentimi me prova ligjore edhe i disa ngjarjeve të tjera të kryera gjatë periudhës së hetimit, të aktivitetit kriminal të tyre në këtë fushë.

Gjithashtu nga Drejtoria Rajonale e Hetimit Tatimor, M. Dvorani, është gjobitur me vlerën 50 mijë lekë të reja për punonjës të padeklaruar, të punësuar në hotelin e saj.

Ndaj të dyshuarve, materialet iu referuan Prokurorisë së Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë” e cila dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.


Shtuar 21.02.2020 18:14