Skenar i frikshëm: Çfarë mund të ndodhë nëse bie një tërmet i madh

Shqipëria zë vendin e 43-të në botë për rrezikshmërinë nga tërmetet.

Në hartën globale të rrezikut nga kjo dukuri natyrore, Shqipëria ndodhet në zonën e kuqe, duke e klasifikuar në mesin e vendeve me risk më të lartë nga tërmetet.

Nga dëshmitë që zotërohen deri më sot, rezulton që qysh prej shekullit II para Krishtit deri në ditët tona, Shqipëria është goditur prej 55 tërmetesh të fortë me intensitet deri në 8 ballë. Shqipëria është në mesin e një zone të gjerë kontakti midis pllakave tektonike të Afrikës.

Rajonet që rrethojnë Shqipërinë përfshijnë një zonë tektonike mjaft të gjerë, ku bëjnë pjesë Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria Jugore dhe Turqia Perëndimore. Çdo vit, në këtë rajon ndodh të paktën një tërmet me magnitudë më të ulët se 6.5 ballë.

Tërmetet nuk mund të parashikohen, por duke qenë të përgatitur nga rajonizimet e kryera, mund të merren masa efektive, për të mos patur katastrofa të mundshme.

Të dhënat historike tregojnë se tërmetet kanë shkatërruar krejtësisht disa herë Durrësin, teksa lëkundjet sizmike renditen të parat për katastrofat që mund t’i krijojnë vendit fatkeqësitë e tjera natyrore.

Objektet që rrezikojnë shembjen

Studimi i ekspertëve të sizmologjisë tregon se tërmetet përbëjnë rrezikun më të madh kombëtar për një katastrofë natyrore në Shqipëri.

Dëmet që mund të krijohen në banesa do të përfshijnë ato objekte që janë ndërtuar me materiale që nuk u bëjnë ballë tërmeteve mbi 6 ballë dhe ndërtesa të vjetra, kryesisht ato para viteve 1960. Sipas studimit, objektet e ndërtuara me qerpiç, tullë, gur dhe betonarme dhe sistemet strukturore me mure mbajtëse, parafabrikate janë më të rrezikuara.

Shumë shqiptarë kaluan një tjetër natë të trazuar mbrëmë pas tërmetit me fuqi 4.9.

Tërmeti i 28 janarit vinte thuajse dy muaj pas tërmetit të rëndë të 26 nëntorit. Ky i fundit, vinte thuajse dy muaj pas tërmetit të shtatorit, që u tha se ishte paralëkundje e asaj që erdhi më 26 nëntor.

Inxhinierja Luljeta Bozo tha mbrëmjen e djeshme se qytetarët duhet të shkojnë nëpër banesa dhe të flenë të qetë. Sipas saj, tërmeti 4.9 i shkallës rihter është pasgoditje.

Inxhinierja kishte një apel për banorët që i kanë banesat të dëmtuara. Ata nuk duhet të rrinë në banesa. “Nëse shtëpitë nuk kanë pasur asnjë dëmtim, ose gjëra të vogla, njerëzit të kthehen dhe të flenë rehat.

Nuk besoj që do ketë të tjerë. Kurse ata që i kanë të dëmtuar shtëpitë, nuk kanë pse të rrinë brenda. Nuk ka kuptim të rrinë brenda. Një shtëpi e dëmtuar, një goditje e tillë e përkeqëson gjendjen. Ku ka dëmtime të rënda, nuk duhet rrezikuar”, tha Bozo.


Shtuar 29.01.2020 16:48