Si ka ndikuar pandemia e COVID-19 në ekonomi dhe punësim në Shqipëri

Nga Yllka Sela:

Pandemia COVID-19 dhe masat që janë marrë në përgjigje të saj përbëjnë sot një faturë mjaft të lartë financiare për të gjitha vendet e prekura, përfshirë Shqipërinë. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) ka publikuar në muajin prill raportin e vlerësimit të situatës ekonomike dhe sociale për disa nga vendet e Ballkanit.

Masat shtrënguese të tilla si mbyllja e kufijve për lëvizjen e lirë të njerëzve, kufizimi i eksporteve, kufizimi i orareve të lëvizjes etj., pritet të ulin aktivitetin ekonomik në mënyrë drastike, dhe jo vetëm. Duke marrë në konsideratë lëvizjen e kufizuar dhe papunësinë në rritje në vendet fqinje të tilla si Italia e Greqia, dhe në shumë vende të Bashkimit Evropian, edhe remitancat do të vijnë dukë u ulur.

Për më tepër, kufizimet në udhëtime apo lejimi i aktiviteteve të kafeneve, restoranteve e hoteleve me kushte të paracaktuara nga autoritetet shtetërore, padyshim do të jetë pjesë e faturës financiare, por edhe pritet që të çojë turizmin në kolaps fill përpara sezonit veror.

Të dhënat e BERZH për vitin 2020 tegojnë se Shqipëria dhe Mali i Zi do të preken më shumë nga frenimi i turizmit, për më tepër që të ardhurat nga ky sektor i tejkalojnë 20% të GDP-së për të dy ekonomitë. Për shkak të lidhjes së fortë të turizmit me bujqësinë, impakti negativ do të ndihet edhe në zonat rurale ku shumë familje të varfëra janë të punësuara në këtë sektor. Këto probleme jo vetëm do të pasqyrohen në zinxhirin e vlerës së produkteve bujqësore por edhe do të përkthehen në rritje të papunësisë në dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare në të cilët janë punësuar e vetëpunësuar kryesisht individë më të ardhura të ulëta; bujqësia dhe turizmi.
Ky ngadalësim ekonomik, duke marrë në konsideratë pasojat e tërmeteve të Shtatorit, Nëntorit dhe tani të pandemisë, pritet të reflektohet edhe në investime të ulëta private dhe publike.

Duke pasur parasysh kontributin e tij të konsiderueshëm në ekonomi, ofrimi i mbështetjes për sektorin privat do të jetë shumë i rëndësishëm për të zbutur rënien ekonomike dhe për të ruajtur vendet e punës. Deri më tani, ka të dhëna shumë të kufizuara në dispozicion se si kriza COVID-19 ka prekur bizneset shqiptare. Në afat të shkurtër, zhvillimi i masave për të adresuar problemin e likuditetit të ulët të bizneseve është thelbësore për të parandaluar falimentin, për të shmangur një depresion ekonomik dhe rënie afatgjatë ekonomike.

Marrja e masave është e nevojshme për të forcuar më tej kapacitetet e bizneseve për të mbështetur transformimin digjital, përmes miratimit të praktikave të telekomunikacionit dhe teknologjive të informacionit e komunikimit, apo duke inkurajuar marketingun dhe shitjet online. Një uebsajt i thjeshtë me informacion të përmbledhur, lehtësisht të aksesueshëm mbi biznesin online (e-commerce) mund të ndihmojë ne digjitalizimin e bizneseve. Për më tepër, qeveria mund të promovojë modele të biznesit të gjelbër përmes granteve, subvencioneve dhe kredive të buta.

Përkundër të gjitha masave të politikës për të zbutur ndikimin e kësaj krize, falimentimi për disa biznese do të jetë i pashmangshëm prandaj duhen bërë përpjekje për të lehtësuar proçedurat, kohën dhe koston e falimentimit duke rritur përdorimin e sistemeve të zgjidhjes jashtë gjykatës si negocimi, ndërmjetësimi etj.

Mekanizmi Fiskal për të zbutur impaktin ekonomik

Në përpjekje për të zbutur impaktin e pandemisë në ekonomi, Qeveria Shqiptare ka ristrukturuar buxhetin e vitit 2020. Disa pagesa të cilat ishin parashikuar për tu bërë në vitin 2020 ndaj konçesioneve më të mëdha në vend si ai i Rapi-scan, Rrugës së Arbrit, inceneratorëve të Elbasanit e Fierit si edhe projektit të shkollave të Tiranës (në total rreth 8 miliardë Lekë) janë reduktuar për këtë vit buxhetor ose shtyrë dhe paratë janë ri-orinetuar drejt paketave të mbështetjes financiare për bizneset dhe individët. Qeveria gjithashtu ka vendosur në dispozicion instrumentin e garancisë sovrane me vlerë 100 milionë USD për kompanitë të cilat hasin vështirësi në pagimin e punonjësve. Për më tepër, qeveria do të zhvendosë afatin për tatim-fitimin në gjysmën e dytë të vitit, për bizneset me xhiro 20-140 mijë USD.

Mekanizmi Monetar për të zbutur impaktin ekonomik

Stimulimet monetare të tilla si politika për uljen e normave të interesit apo blerja e aseteve bëhen me qëllim për të zbutur riskun dhe për të rikthyer besimin tek tregjet financiare. Aktualisht Banka e Shqipërisë ka ulur normën bazë të interesit në 0.5%, më e ulëta në histori. Kjo politikë u bë me qëllim që individët dhe biznesi të nxiten të marrin kredi për të rritur konsumin dhe investimet. Gjithashtu, pagesat e kësteve të kredisë për individët dhe bizneset gjatë periudhës së emergjencës mund të shtyhen, pa penalitete për interesat.

Paketa mbështetëse e Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian ka treguar mbështetje të menjëhershme duke kontribuar me 4 milion Euro për sektorin e shëndetësisë dhe 46.7 milion Euro për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale.

Impakti mbi punësimin dhe tregun e punës në Shqipëri
Pandemia COVID-19 do ti vendosi tregjet e punës të Ballkanit Perëndimor nën presion. Në 2018-tën, papunësia informale në Shqipëri ishte 37% (Serbia 20% dhe Maqedonia e Veriut 19%).

Për më tepër, pritet që pjesëmarrja e grave në tregun e punës të zvogëlohet, pasi gratë janë grupi më i ndikuar nga informliteti. Sipas Bankës Botërore, në 2020-ën, mesatarisht një në pesë të rinj nuk është në ndonjë punë, shkollë apo trajnim, ndërsa të rinjtë të cilët janë të kualifikuar kanë tendencën të emigrojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe në Zvicër, për shkak të pagave premtuese dhe zhvillimit të karrierës. Deri tani, përgjigja e sektorit publik dhe privat në Shqipëri me qëllim mbrojtjen e punonjësve të ekspozuar ndaj COVID-19, ka qenë ‘prezantimi’ i punës nga shtëpia me ndihmën e internetit, telefonit dhe e-mailit.

Me qëllim parandalimin e humbjes së vendit të punës për punonjësit, qeveria Shqiptare miratoi paketat ekonomike që u vinin në ndihmë bizneseve të vogla, të mesme dhe të mëdha si edhe dyfishim të pagesave të përftuesve të ndihmës ekonomike, individëve që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë apo që kanë qenë në listat e të papunëve. Ndërsa ankesat për vonesa në marrjen e ‘pagave të luftës’ kanë qenë të shumta, shpërndarja e këtyre të fundit është në proçes sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Duke konsideruar që efektet e këtyre masave janë afatshkurtra, raporti i OECD sugjeron disa prioritete shtesë në politikat që duhet të ndiqen në afatgjatë. Kompanitë duhet ta promovojnë punën nga shtëpia të punonjësve të tyre duke ofruar teknologjinë, pajisjet dhe programet e duhura. Me mbylljen e shkollave dhe prezantimin e mësimit online nga shtëpia, duhet konsideruar ndihma për gratë, punonjësit dhe familjet që kanë fëmijë nën përgjegjësi dhe që duhet të kujdesen që proçesi mësimor i fëmijës të realizohet siç duhet. Leja e paguar apo kompensimi financiar do të ndihmonte në lehtësimin e barrës.

Po ashtu, mbështetja financiare duhet të vazhdojë për individët që kanë humbur punën e tyre për shkak të pandemisë, dhe që bëjnë pjesë tek familjet e varfra. Suporti nuk duhet të mungojë as në mbështetjen e dedikuar për gratë dhe të rinjtë që më së shumti punojnë në sektorë shërbimesh si restorante, kafene, hoteleri, shërbime të kujdesit personal, argëtim etj.

Raporti i plotë: https://www.oecd.org/coronavirus/policy-responses/covid-19-crisis-response-in-south-east-european-economies/


Shtuar 6.05.2020 19:49