Si do të kalojë në Kuvend Reforma e re Zgjedhore dhe pse hyrja në fuqi nuk do jetë e lehtë

Pas shumë orësh diskutime dhe takime të panumërta, vetëm mbrëmjen e së premtes dokumenti i prodhuar nga Këshilli Politik me ndërmjetësimin e ambasadorëve u firmos nga të gjitha palët.reforma copyreforma1 copy

Por ky dokument nuk do ta ketë shumë të lehtë futjen në fuqi, pasi pjesa e opozitës në Parlament është shprehur se do të dalë kundër.

Dokumenti me 11 pika paraqet zgjidhje për çështjet që u diskutuan në javët e fundit si: identifikimi elektronik, struktura e KQZ apo edhe financimi i partive, por nuk u prekën çështjet e ndryshimit të sistemit zgjedhor, si dhe depolitizimi i administratës. Pas mbylljes në vija të përgjithshme dhe në parim, dokumenti dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të vijojnë të diskutohen në Këshillin Politik.

Pas përmbylljes së punës në këtë organ jashtëparlamentar që u krijua për të garantuar pjesëmarrjen e opozitës së bashkuar, diskutimi do të vazhdojë në nivel ekspertësh në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Në dokumentin e firmosur mbrëmjen e së premtes specifikohet që asnjë ndryshim nuk mund të bëhet gjatë këtyre fazave të formulimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Në këtë pikë përjashtohet vetëm ndonjë ndryshim në drejtim të teknikës legjislative. Pas kalimit në Komisionin e Reformës Zgjedhore do të kalohet në sallën plenare në Kuvend. Gjatë votimit në Kuvend do të duhen 84 vota për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Por maxhoranca socialiste nuk i ka votat e nevojshme për t’i bërë këto ndryshime, pasi do t’i duhen edhe votat nga opozita e re.

Këta të fundit kanë firmosur një dokument, ku shprehen se nuk do të votojnë asnjë marrëveshje apo ndryshim ligjor në Kodin Zgjedhor, që nuk prek edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor apo votën e emigrantëve./panorama


Shtuar 8.06.2020 14:35