Si dallon koronavirusi nga gripi dhe virozat e stinës?

Në një situatë kur viroza të ndryshme kanë prekur vendin është e rëndësishme të bëhet diferenca e një gripi të zakonshëm, me simptomat që ka Koronavirusi. E ftuar në programin “Rudina”, në TV Klan, shefja e infektivit në Qendrën Universitare Nënë Tereza, Najada Çomo foli dhe për këtë çeshtje.

Nga dallon koronavirusi i ri nga virozat e zakonshme?

Për fat të keq nuk ka dallim esencial, dmth. ne jemi në sezon gripi, jemi në situatë virozash stinore, që kanë shenja të përbashkëta, temperaturë, rrufë, kollë, tështima.

Edhe infeksioni i koronavirusit ka po të njëjtat shenja. Pra, nga ana e shenjave klinike e është e vështirë që të dallohet, sigurisht nëse personi ka këto shenja të zakonshme.

Nëse personi ka infeksion të rëndë të mushkërive, pra pamjaftueshmëri të funksioni të mushkërive (vështirësi në frymëmarrje), atëherë situata është më e agravuar dhe ai person shtrohet në kushte spitali.

Por, nga mund ta dallojë një person nëse është i infektuar nga koronavirusi, nga virusi i gripit apo nga një virozë tjetër stinore?

Duhet të kesh pa diskutim kriterin e udhëtimit. Pra, të kesh udhëtuar në një zonë që është në listën e vendeve ku është përhapur koronavirusi.

Deri pak më parë ishte dhe vazhdon të jetë Kina. Nuk duhet të humbasim vëmendjen ndaj Kinës, sepse vazhdon të ketë fluksin më të madh të rasteve, mos të harrojmë vendet e tjera të Azisë, ku përfshihen Koreja e Jugut, Japonia, Singapori, Tajlanda. Këto zona janë të ngrohta në zonën gjeografike, por natyrisht vëmendja e njerëzve është spostuar me të drejtë tek Italia.

Por, ne e kemi vëmendjen fort dhe te Kina dhe në pjesën tjetër të Azisë, sepse duke u fokusuar në një vend, ti humbet vëmendjen karshi atyre zonave që janë të nxehta. Të nxehta, në kuptimin e numrit të shtuar të rasteve.

Për të pasur një informacion më të qartë, personi së pari këshillohet nga ana mjekësore, që nëse vjen nga një zonë që ka pasur raste me infeksione të koronavirusit, nuk vjen për t’u vizituar, por telefonon 127, që është numri i Qendrës Kombëtare të Urgjencës.

Këtë duhet ta them dhe t’i vë shumë rëndësi sepse ardhja nëpërmjet urgjencës bën dhe palën pritëse që ta presë personin në kushte më të mira, edhe në aspektin e veshjes, nga ana profesionale.


Shtuar 16.03.2020 19:32