Shifra alarmuese! Në vetëm dy javë shkollë, janë prekur 80 mësues me COVID-19

Që nga data 14 që u hapën shkollat dhe nisi mësimi në klasë për mijëra nxënës shqiptarë, me dhjetëra mësues e nxënës janë karantinuar në mbarë vendin, pasi rezultojnë të infektuar me koronavirus.

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ka treguar disa shifra të frikshme të mbledhura në vetëm 2 javë nga hapja e shkollave. Në një prononcim për Tv Klan, drejtoria njofton se janë infektuar rreth 40 fëmijë, ndërsa flet edhe për 80 persona të infektuar që janë zëvendësuar me mësues të tjerë:

“Nga shëndetësia na rezultojnë 40 fëmijë që duhet të rrijnë në karantinë. Nga të dhënat nga ISHP, 80 persona duhet të rrinë në karantinë dhe ne i kemi zëvendësuar me mësues të tjerë”.

Tirana mban numrin më të lartë të mësuesve dhe nxënësve të karantinuar, por deri tani asnjë klasë nuk është mbyllur për shkak të infektimit të stafit apo nxënësve.

Ndërkohë dje u mbyll shkolla e parë në vend si pasojë e përhapjes së koronavirsuit. Gjimnazi “Sami Frashëri” në Përmet ka mbyllur dyert për nxënësit pasi 6 mësues kanë rezultuar pozitiv me Covid-19.

Raste të infektuarish ka pasur edhe në Korçë, ku janë infektuar një çift bashkëshortësh, punonjës në dy shkolla 9- vjeçare, njëri tek “Naim Frashëri” ndërsa tjetri në shkollën “Sevasti Qiriazi”. Po ashtu kanë rezultuar pozitiv edhe mësuesja e fizikes në shkollën 9 vjeçare “Papa Kristo Negovani” në Ersekë dhe mësuesja e gjuhës frenge në Bilisht.

Burime jozyrtare kanë konfirmuar për “iconstyle.al” për të infektuar edhe në dy gjimnaze në qytetin e Pogradecit, për të cilat nuk ka asnjë reagim nga Ministria e Arsimit.

Drejtoria e Arsimit zëvendëson mësuesit e infektuar, por nuk paralajmëron prindërit.

Mësimi vijon normalisht në këto institucione, ndërkohë që mësuesit e infektuar janë zëvendësuar me të tjerë. Deri më tani nuk dihet asgjë për kontatet e këtyre mësuesve, nëse u është bërë tamponi apo janë karantinuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar sqaron se ka afro 1600 mësues në dispozicion për të zëvendësuar ata që do të preken nga Covid-19, por problemi nuk është ky!

Shumica e prindërve thonë se nuk janë në dijeni të rasteve dhe kërkojnë përforcim të masave. Të pyetur nëse janë në dijeni që një mësues ka dalë pozitiv me koronavirus në Korçë, ata shprehen:

-Jo! Tani e dëgjova, nuk kam dëgjuar gjë.

-Jo nuk di gjë. Tani nga ju e morëm vesh.

Të shqetësuar për përhapjen e Covid edhe në shkolla, prindërit kërkojnë forcimin e masave. Ka dhe raste kur vetë gjyshërit i marrin fëmijët nga shkolla duke rrezikuar kështu shëndetin e tyre!

“E ndoqa dje në televizor, na shqetëson, kemi merakun e fëmijëve, dhe ne familje kemi merak. Duhet të jenë të kujdesshëm e t’i kontrollojnë që edhe ne të dimë si të veprojmë”.

Ministria e Arsimit vijon të mos reagojë ndaj kësaj situate ndërkohë që rastet me virus janë përhapur në mbarë shkollat dhe institucionet arsimore të vendit, duke na treguar se hapja e tyre ishte thjesht një veprim i nxituar dhe i paplanifikuar nga ministria.

Aq më tepër që rastet po ju mbahen të fshehur këtyre prindërve duke i bërë ata të papërgatitur për virusin që mund të futin në shtëpi, duke qenë se fëmijët janë asimptomatikë. /tvklan


Shtuar 29.09.2020 15:29