Shefja e Infektivit apel të fortë shqiptarëve: Mos dilni, po bëjmë luftë (VIDEO)

Shefja e Infektivit në QSUT, Najada Çomo i ka bërë apelin e fortë qytetarëve që ta kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të qëndrojnë në shtëpi.

Ndër të tjera, Çomo thekson se i gjithë shërbimi të Infektivi është duke punuar 24/24, por përpjekjet e tyre nuk do të kenë vlerë nëse qytetarët nuk e kuptojnë se çfarë “lufte” po bëhet dhe nuk qëndrojnë në shtëpi.

Mesazhi i plotë i mjekes

“Ju përshëndes në këtë orë të vonë nga Shërbimi Infektiv, aty ku është numri i lartë i pacientëve të shtruar nga Covid-i. Doja t’iu jap një informacion të shkurtër lidhur me situatën e të shtruarve, natyrisht që kemi forma të mesme dhe forma mjaft të rënduara dhe një numër mjaft të shtuar tek Infektivi.

Lajm optimist është edhe numri i personave të shëruar nga shërbimi ynë. I gjithë shërbimi ynë….jemi të gjithë në krye të detyrës, 24 orë në 24 orë, por duhet rritur sensibilizimi i popullatës. Kur më duhet të lëviz në Tiranë për të ardhur në shërbim, shikoj njerëz të grupuar dhe themi se është e tmerrshme që këta nuk e dinë se ç’bëhet luftë në Shërbimin Infektiv.

Të nderuar njerëz, qëndroni brenda, se është gjëja më e vogël që mund të bëni. Dhe ky është shërbimi më i madh që mund t’i bëni vetes tuaj dhe familjarëve tuaj. I bëj thirrje atyre që kanë sëmundje kronike dhe të moshuare të qëndrojnë kategorikisht në shtëpi, mos të dalin, se janë grupi më i rrezikuar për t’u infektuar nga Covidi.. Ne jemi gjithmonë për ju, por ju bëni atë që e mendoni sakrificë, qëndroni në kushte shtëpie. Faleminderit!”


Shtuar 29.03.2020 21:06