Sa kushtoi “Sanremo 2020”?! Zbulohen shifrat sa u paguan prezantuesit

Si gjithnjë, ajo që tërheq vëmendje në mbarim të një festivali, është kostoja e tij!

Sa u shpenzua dhe sa u fitua? Dhe sigurisht që buxheti i prezantuesve, të ftuarve shkakton shumë polemika.

Mediat italiane kanë bërë një listë jo zyrtare por me shifra pak a shumë të konfirmuara sa i përket shumës që fituan prezantuesit dhe të ftuarit VIP në “Sanremo”.

Prezantuesi kryesor Amadeus do të fitojë midis 500-600 mijë euro për pesë mbrëmjet (nga 4 deri në 8 shkurt).

Ndërkohë, Fiorello dhe Tiziano Ferro do të paguhen rreth 250 mijë euro, ndërsa Antonella Clerici thuhet se do të marrë rreth 50 mijë euro.

Lista vijon me bashkëprezantueset e ftuara si Rula Jebreal, Sabrina Salerno, Alketa Vejsiu, Francesca Sofia Novello, Diletta Leotta, Laura Chimenti dhe Emma D’Aquino të cilat do të marrin 25 mijë euro.

Në mesin e prezantuesve, ajo që do të marrë më tepër është Georgina Rodriguez një shifër që shkon 140 mijë euro. Pak më herët u mësua se partnerja e futbollistit Cristiano Ronaldo do t’i përdorë paratë për ndërtimin e një spitali në Torino.

Ndërkohë, 300 mijë euro do t’i paguhen Roberto Benigni-n për performancën e tij të enjten 6 shkurt.

Në total “Sanremo 2020” do të shpenzojë rreth 16-18 milion euro, një shifër që përfshin si tarifat e prezantuesve dhe të ftuarve ashtu edhe 5 milionë që do t’i paguhen Komunës së Sanremos (së cilës i shtohen edhe 200 mijë euro shtesë për ngjarjet e planifikuara në sheshet e qytetit).

Mund të duket si një shifër e lartë, por para se të arrini në një konkluzion, duhet të dini se për edicionin 2019, Rai mblodhi 31 milion € dhe, sipas parashikimeve, këtë vit të ardhurat mund të ishin edhe më të larta.

Duke bërë një llogaritje midis shpenzimeve dhe të ardhurave bilanci i “Sanremo 2020” duhet të jetë mbi 15 milionë euro fitim për RAI1. /iconstyle


Shtuar 8.02.2020 17:11