“Ruajeni nusen nga vëllai im”, vrasja e Enkeledës ishte paralajmëruar?

Enkeleda Çapoku u vra mëngjesin e djeshëm nga kunati i saj Eredet Çapoku në shtëpinë ku jetonte me nënën pasi e përndiqte prej kohësh.

Gruaja u gjet pa ndjenja në një pellg gjaku në korridorin e banesës.

Policia shoqëroi për të marrë në pyetje të afërmit e viktimës dhe të autorit. Nga deklarimet që ata dhanë para oficerëve të Policisë, duket se krimi ishte paralajmëruar.

Madje, edhe bashkëshorti i Enkeledës, i cili ndodhet në burg, ishte i frikësuar se i vëllai mund t’u bënte keq gruas e vajzës.

Ai herë pas here i porosiste të afërmit që shkonin ta takonin në burg, që t’i ruanin nusen dhe vajzën nga i vëllai.

Në bisedën e fundit që kishte bërë me autorin e dyshuar, kur ky i fundit ka shkuar ta takojë në burg për t’i dërguar fotografitë e Enkeledës, ai ishte frikësuar edhe më shumë.

Duke qenë se vetë e kishte të pamundur ta mbronte, Elton Çapoku i kishte thënë motrës dhe vëllait tjetër të tij që ta mbanin larg Erdetin nga Enkeleda.

Ndërsa u kishte kërkuar që të mos e lejonin të shkonte më në takim me të në burg, sepse nuk donte që të fliste më me të.

Sipas dëshmive që kanë dhënë vëllai e motra e autorit të dyshuar, kjo mund të jetë një nga arsyet pse Erdet Çapoku ishte acaruar edhe më shumë kohët e fundit, derisa arriti të vriste kunatën.


Shtuar 11.01.2020 08:38