Rrama vlerëson qasjen e Hotit ndaj Serbisë, thumbon Haradinajn dhe Kurtin

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar progresin e bërë nga Kosova në raport me dialogun me Serbinë, duke kritikuar qasjen e dy ish-kryeministrave të fundit para Hotit që sipas tij sollën jo pak pasoja.

Duke folur në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në Tiranë, Rama nënvizoi rëndësinë e takimit në Uashington.

“Takimi i Uashingtoni, rihapja e dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e BE, janë disa prej shenjave kuptimplota të përparimit diplomatik të Kosovës muaj e fundit. Vlerësoj qasjen e mençur të Kosovës në dialogun me Serbinë, duke hequr çdo pengesë për rinisjen e dialogut që në fakt koha dhe faktet treguan se ishte një pengesë që Kosova ja vuri vetëvetes.

Dialogu mbetet i vetmi instrument për të fituar çështjen e shtruar për zgjidhje. Çdo bishtnim nga dialogu krijon vetëm fitore iluzore në rrjetet sociale dhe mexhelisin mediatik dhe dobëson pozicionin e Kosovës qoftë së brendshmi, qoftë së jashtmi me botën.

Jemi në kushtet kur mun dti shohim qoftë pasoja e ndërmarrjes së rrugëve pa rrugë, qoftë rezultatet e ndërmarrjes së një rruge me perspektive. Në shumë pak kohë u arrit të restaurohej një krisje shumë e madhe që pati pasoja jo të vogla për Kosovën dhe u arrit një hap në Uashington që do të flasë gjithmonë e më mirë” tha Rama.

Diplomacia

Shefi i qeverisë shqiptare tha se bashkëpunimi diplomatik mes dy vendeve ka funksionuar më së miri, duke evidentuar nismat e përbashkëta.

“Bashkëpunimi në fushën diplomatike ka funksionuar më së mirë si shtyllë e bashkëpunimit strategjik, siç ka funksionuar edhe bashkëpunimi i shqiptarëve kudo në rajon. Arritjet e forcave shqiptare në zgjedhjet e fundit në disa vende të rajonit flasin për potencialin që ka bashkimi dhe unifikimi. Qeveria shqiptare dhe përfaqësitë e saj diplomatike janë angazhuar për një plan për Diasporën.

Kemi marrë përsipër disa nisma mes të cilave nisma e përbashkët për të krijuar fondin për Luginën e Preshevës. Angazhimi jonë për Kosovën për shtrirjen e saj në organizmat ndërkombëtarë mbetet shtylla kryesore. Vlerësoj angazhimin që do merret sot për bashkëpunim në fushën e sigurisë që parashikon atashimin e ndësjelltë të oficerëve të kontaktit në ato vende ku njëra nga ne nuk ka përfaqësi. Duhet të krijojmë një rrjet diplomatik që funksionon në mënyrë komplomentare kudo në botë” u shpreh Rama.

Bashkëpunimi doganor

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do të nëshkruajnë sot mes shumë marrëveshjeve edhe atë për zbatimin e lehtësirave të Ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.

Rama deklaroi se porti i Durrësit do të jetë port i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës dhe në funksion edhe të rajonit.

“Shndërrimin e portit të Durrësit në një port de facto edhe të Kosovës, ky hyrja e të gjitha mallrave për në Kosovë nga pikëpamja legjislative dhe juridike do të trajtoet si hyrje në Kosovë. Porti i Durrësit do të kthehet në një port strategjik edhe për rajonin. Ambicia jonë nuk duhet të ndalet në një stacion apo pikë doganore. Me këtë marrëveshje do të mundësojmë kryerjen e kpontrolleve të përbashkëta, njohjen e agjentëve doganorë. Këto shënojnë hapjen e një kapitulli të ri drejt bashkimit doganor në vitet që vijnë.

Kriza e shkaktuar nga pandemia nxori jo vetëm dobësitë por edhe pikat e forta të bashkëpunimit ekonomik. Si rezultat i lehtësimit dhe heqjes së barrierave është shënuar një rritje e shkëmbimeve tregtare. Vitin e kaluar shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë shënuar kuotat më të larta, 305 mln euro. Ka ende një potencial të madh për tu shfrytëzuar. Pika e Morinës ka funksionuar gjatë gjithë pandemisë”.

Ndërlidhja digjitale dhe hekurudhore

Gjatë fjalës së tij Rama nënvizoi edhe rëndësinë e nbdërlidhjes teknologjike dhe hekurudhore mes dy vendeve.

“Sot hedhim një hap të rëndësishëm për lidhjen hekurudhore.Së shpejti nisim ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Ky hap tjetër shkon në drejtimin e duhur ashtu si angazhimi për të zhvilluar korridorin digjital mbështetur në 5G. Rikonfirmoj qëndrimin e qeverisë sonë dhe timin personal që vendet e rajonit tonë duhet të shohin perspektivën e një zhvillimi të teknologjisë 5G të bazuar në një rrjet të sigurt në çdo aspekt. Duhet të synojnë alternativën e duhur të ofertës që ekziston sot. Për sa na takon si Shqipëri, është një ofertë e dyshimtë. Jemi angazhuar të shohim mundësitë e investimeve të përbashkëta në kapacitetet energjitike për të pasur diversitet”.


Shtuar 2.10.2020 10:02