Ditët e fundit, kryeministri Edi Rama ka vendosur të rihapen kazinotë, duke sjellë një shqetësim të madh në vend.
Një vendim i tillë, për Partinë Demokratike, duhet hetuar nga SPAK. Në një dalje për mediat nga selia blu, sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata tha se Rama kërkon të pastrojë paratë e pistë.
Sipas tij, vendimi në fshehtësi që miratoi qeveria i hap rrugë biznesit kriminal. Me këtë vendim tha Gjata, Kryeministri Edi Rama i preu në besë familjet shqiptare.
“Nën panikun e humbjes që e pret, Rama ka shkelur një premtim që ka bërë, që nuk do lejonte që lojërat e fatit të shkatërronin mijëra jetë njerëzish dhe familjesh.
Në fshehtësi ai ka miratua një VKM që i hap rrugë biznesit kriminal të lojërave të fatit në zemër të Tiranës
Ai kërkon të pastrojë paratë nëpërmjet kazinove dhe lojërave të fatit. Shqetësimi i Ramës nuk janë familjet, por paratë që i duhen në ortakëri me krimin. Kjo prerje në besë dhe ky veprim kriminal duhet të hetohet nga SPAK”, u shpreh Gjata.