Reforma Zgjedhore: 50% e fushatave elektorale do financohet nga shteti

Shqiptarët do të paguajnë me taksat e tyre gjysmën e shpenzimeve për fushatat elektorale të partive politike në zgjedhjet e ardhshme.

Demokratët kanë pranuar të tërhiqen nga propozimi fillestar për të financuar në nivelin 66 përqind nga shteti fushatat e partive dhe në grupin e punës për Reformën Zgjedhore, është dakordësuar financim i barabartë nga shteti dhe privati.

“Opozita e bashkuar nuk ka hequr dorë nga skema e financimit, në pjesën më të madhe nga burimet publike, buxheti i shtetit dhe në masën 50% të asaj që vjen nga buxheti i shtetit të mund të mblidhet nga burime private.

Kjo është vetëm për këto zgjedhje, derisa të punohet për ligjin e ri. Me ligjin e ri synojmë që masa e financimit të jetë në masën e 100% nga buxheti publik”, u shpreh në “A2” Ivi Kaso, sekretar për Çështjet Zgjedhore.

Palët po mendojnë për një ndryshim edhe në rastet kur zgjedhjet sjellin një ndërrim të pushteteve. Nevoja lind nga shkurtimi i periudhës zgjedhore, me një muaj në pranverë, që do të zgjaste muajt e asaj që do të konsiderohej si qeveri në ikje.

Në të shkuarën nuk kanë munguar akuzat për abuzim me pushtetin kur pala në qeverisje e kishte të certifikuar largimin.

Shembull klasik janë kontratat koncesionare.

Ndaj socialistët po përpiqen që të shmangin të njëjtin fenomen. “A2” mësoi se po shkohet drejt idesë për një kufizim të kompetencave të qeverisë në largim, gjatë muajve nga data e zgjedhjeve deri në krijimin e qeverisë së re, duke u fokusuar më shumë te përmbushja e detyrave për transferimin e pushtetit. /A2


Shtuar 27.05.2020 15:16