Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në burgun nr.313 në Tiranë.
Bilbil Hasani, 43-vjeç nga Kukësi, banues në Kamëz, ka varur veten ditën e sotme në burgun nr.313 në Tiranë.
I ndjeri po qëndronte me masë sigurie “arrest në burg”, për shkak se kishte vjedhur 12 mijë lekë të vjetra.
Në një reagim të inspektorit të Lartë i Drejtësisë, Artur Metani theksohet se do të kryhen të gjitha procedurat për verifikimin e situatës.
“U njoha nga mediat me lajmin e vetëvarjes së 43 vjeçarit B.H., në institucionin e vuajtjes së dënimit 313 në Tiranë, si dhe me pretendimin se i ndjeri po qëndronte me masë sigurie në burg, për shkak se kishte vjedhur 12 mijë lekë të vjetra.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë po vlerëson rastin për fillimin e verifikimit nëse ka pasur vonesa në veprimet procedurale hetimore apo gjyqësore, si dhe nëse ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural”, – deklaroi Metani.
Raportohet se 43-vjeçari është vetëvarur me çarçaf në banjën e qelisë dhe kanë qenë gardianët, që kanë gjetur trupin e tij të pajetë.