“Ramushi ka nisur baltosjen e Albinit”, Rama sulmon Haradinajn: Kurti nuk është shërbëtor i Serbisë

Kryeministri Edi Rama akuzoi ish kryeministrin Ramush Haradinaj se ka nisur baltosjen e Albin Kurtit, duke theksuar se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.

“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë!”, shkruan Rama në Twitter.

Reagimi i plotë i Ramës:

Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!

Kurrë nuk është dëgjuar një idiotësi më e madhe se sa predikimi që taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës, se sa ajo taksë e kthyer nga një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës!

Albin Kurti është në rrugën e duhur! Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhëtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës.


Shtuar 1.03.2020 09:59