Depolitizimi i administratës dhe futja e teknologjisë në zgjedhje janë dy temat e nxehta ku palët pavarësisht negociatave nuk po gjejnë konsensus për reformën zgjedhore.
Këtë të enjte bisedimet për reformën zgjedhore nuk nisën me partitë politike, por ambasadorët, – ai i BE-së Luigi Soreca, i SHBA-së, Yuri Kim, I Britanisë Duncan Norman, ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, dhe i OSBE-së Bernd Borchard – u mblodhën përreth një orë në selinë e BE-së në Tiranë.
Temë diskutimi ishte gjetja e konsensusit mes opozitës e maxhorancës.
Dy orë pas këtij takimi, Kryeministri Rama duke folur në parlament, fajësoi opozitën për situatën e krijuar.
Edi Rama: “Megjithatë ne preferuam të durojmë. Edhe pse puna e bërë nga përfaqësuesit tanë me në krye Damianin ishte ezauruese në raport me rekomandimet nuk erdhëm në parlament në fund të vitit të shkuar për ta votuar.E konsideruam të rëndësishme të prisnim me shpresën se do të gjejmë konsensusin nga pala tjetër.
Unë këtë shpresë se kam pasur asnjëherë se unë e di që për politike nuk ua ha qeni shkopin. Vazhdoi puna dhe u vendos një afat tjetër, 31 maj, dhe që nuk solli rezultat. Më vjen shumë keq që në 2020 politika shqiptare ka nevojë akoma për ambasadorë të huaj që të bëjnë përkthyesin shqip-shqip dhe të lehtësojnë procesin e komunikimit.
Nuk i kam kërkuar dhe nuk i kërkoj unë ambasadorët por duke qenë se të tjerët e kishin të pamundur të uleshin shqiptarë me shqiptarë ishin gati të uleshin me tre palë përkthyes shqip-shqip ne e pranuam. U jam mirënjohës ambasadorëve që dalin nga mandati i tyre dhe bëjnë arbitrin e ping-pongut shqiptar.Të paktën është takim me dëshmitarë. E vërteta është e thjeshtë, korniza e përcaktuar nga rekomandimet është aty. ”
Vota- Rama shtoi se me këto bisedime ndërkombëtarët po kuptojnë baltën e hedhur dhe se është shumica që ka të drejten e votes në vend. Madje duke cituar fjalët e ambasadores amerikane se topi është në fushën e Bashës, Rama tha se nuk e di si do të shkojë reforma zgjedhore por nuk harroi ti kujtojë opozitës politike se ka edhe një opozitë në parlament me të cilën edhe do të vijojë puna.
Rama: Në këtë proces janë dy tema, tema e vendosur në tryezën e forcave politike nga BE që për herë të parë ndërhyn në një çështje të brendshme, kjo falë baltës, sherrit dhe rrëmujës që u stimulua nga pala që mungon këtu sot duke përdorur lidhjet e veta në Bundestag për të ndihmuar këtë axhendë. Në variantin e parë ishte konsensusi dhe është hequr për të mos lejuar asnjë palë të marrë peng zgjidhjen.
Askund tjetër nuk bëhen me konsensus reformat elektorale. Eshtës shumë e thjeshtë kush ka votat në parlament, ka të drejtën të bëjë reformën më të arsyeshme. Është vendosur një kornizë nga e cila palët nuk mund të dalin. Në rekomandimin e Bundestagut thuhet reformë zgjedhore e miratuar mbi bazën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR e miratuar në parlament.”
Me teknologjinë të merret opozita – Rama tha se mazhoranca nuk është e interesuar të futet në procesin e futjes së teknologjisë në zgjedhje por duke qenë se opozita ka paraqitur interes ta marrë në dorë vete realizimin e saj duke propozuar një zëvendëskryetar për KQZ që do të merret vetëm me teknologjinë.
Te depolitizimi i administratës ku PS insiston fort, Rama tha se kanë dhënë të gjitha garancitë për opozitën.
Problemi kryesor dhe arsyeja shpesh herë e sherreve dhe luftrave absurde janë komisionet. Të gjitha rekomandimet e ODIHR kanë një fjalë, depolitizim. Edhe Hamasi dhe Fatahu kanë komisione me mësues. Por ja që edhe sot kjo duket mision i pamundur. Depolitizimi i komisioneve është i domosdoshëm. Identifikimi është pika tjetër.
Janë shumë pak kompani që e bëjnë se nuk ka shumë kërkesa në botë për të futur teknologjinë në zgjedhje. Edhe po u votua deri në shtator nuk hidhet për tender ndërkombëtar, në janar kontrata. Në prill bëhen zgjedhjet. Por ne thamë nuk ka problem, të bëhet 100% nëse arrihet dhe të hyjë për aq sa të arrihet. PD ta gjejë një njeri vetë, ta vendosë me votën tonë atje zëvendëskryetar të KQZ me mandatin ekskluziv që të merret vetë me teknologjinë.
Nuk duam fare të hyjmë në këtë proces, ta marrin elektronikën dhe ta bëjnë vetë ata. Administrata politike thonë, 67% e administratës me status të shërbimit civil janë para 2013. Por nuk i kemi thënë që do të jetë aty vetëm administrata. Do ketë kamera kudo. Çfarë duan këta se nuk e kuptoj? Ne na duhen 6500 komisionere me formulen 3 komisionere civile per çdo qender.
Vota e emigranteve- Në seancë Rama zbardhi dhe disa pika të marrëveshjes
“KQZ merr detyrën te realizoje voten e emigrantëve, por kjo është sistem dhe nuk mund ta fillosh punën kur të vjen veza midis dilemes të hyj apo jo në kotec.
Së fundi vota e emigrantëve, është një sistem dhe nuk mund të fillosh punën në fund. Le të presim që ata që kanë topin ku do ta çojnë topin. Po ti referohemi bibliotekës së fëmijëve në Kamëz topi nuk do të gjuhet por do të mbahet poshtë fanellës. pak humor kamzalish siç jemi ne të dy.
Nuk e dimë si do të shkojë procesi por ka një opozitë tjetër këtu në parlament, ne se kemi harruar, duke e ndarë draftin e marrëveshjes me ju pa e lënë që ta merrni nga mediat.
Shefi i qeverisë nuk harroi të kujtojë se ODIHR gjithmonë është shprehur me rezerva për futjen e teknologjisë në zgjedhje dhe se ka këshilluar që nëse bëhet të realizohet me faza.
Edi Rama: Që pas zgjedhjeve të 2017 jemi angazhuar publikisht që të adresojmë me synimin e vënies në jetë në zgjedhjet e 2019 çështjen e elektronikës në zgjedhje. Kam thënë disa herë që nëse duan seriozisht të përfshijnë elektronikën në procesin zgjedhor kolegët që asokohe kanë qenë në këtë sallë dhe sot janë jashtë duhet të angazhoheshin menjëherë pasi bëhet fjalë për një proces jo të lehtë dhe për një sistem të ri që kërkon kohën e vet për tu vënë në përdorim. Kur është pyetur nga palët politike në vend ODIHR nuk ka qenë entuziast, e sheh me skepticizëm dhe nuk e inkurajon si inovacion transformues.
Gjermania e ka konsideruar antikushtetuese kërkesën për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. ODIHR porosit që nëse futet, të bëhet me faza dhe jo menjëherë. Kemi bërë një studim dhe kemi angazhuar një proces të tërë eksperimentimi konkret të teknologjisë duke krijuar në selinë e PS qendra votimi për të parë reagimin ndaj teknologjisë të shtresave dhe moshave të ndryshme. Kemi arritur në konkluzionin se futja e teknologjisë në një sistem offline është e mundur dhe mund të sjellë lehtësira jo të vogla ë raport me nevojat që ne kemi.
Bëmë përpjekjet tona të fillonim me zgjedhjet lokale me një projekt pilot ku të mund të shihnim rezultatin dhe mbi bazën e tij të vazhdonim shtrirjen e sistemit. Nuk ndodhi se axhenda e opozitës ishte dhe mbetet tjetër. Ndërkohë koha vrapoi.
Përtej faktit se kemi humbur kohë ka një të mirë të vetme kjo e keqe që tregon me fakte se pavarësisht se ne mund ta bënim në mënyrë të njëanshme dhe mund të gjenim votat në parlament pa pritur ansjë lloj konsensusi apo autorizimi nga ata që nuk janë në këtë parlament. Nuk e bëmë këtë.
Askund nuk bëhen me konsensus reformat elektorale. Greqia para pak kohe ndryshoi një sistem elektoral me mazhorancë dhe kundërshtimin agresiv të minorancës. /oranews