Rama lajmëron masa të reja: Deri sa të dalë vaksina, jemi si macja me miun!

Kryeministri Edi Rama bën me dije se faza 2 e strategjisë përballë emergjencës së koronavirusit, do të jetë faktikisht më e ndryshme nga shumë vende të tjera.

Ai tha se kjo gjë ndodh se virusi nuk na vret dot kur rrimë mbyllur por se ai është aty pas dere dhe ne jemi të ekspozuar nga mundësia që ai të na godasë përsëri.

“Deri kur të dalë vaksina ne duhet të jemi të vëmendshëm si individë familje dhe shoqëri që të mos goditemi si familje dhe shoqëri. Ne nuk duhet të shkelim më në shtëpitë e njeri tjetrit pa u zhdukur ky armik. Por as mund të rrimë pafundësisht mbyllur, pasi mbarojnë edhe kursimet edhe të afërmit dhe miqtë që mund të ndihmojnë”, u shpreh Rama.

Në këtë drejtim shtoi se mund të bëhemi si “macja me miun”, që tha që kur të dalë e ka mendjen jo vetëm të ushqehet, por edhe ti shpëtojë maces.

Ai njoftoi në copëtim të fazës 2, duke thënë se do të hapet kudo me kujdes, por jo njëlloj.

Sipas tij nëse hapemi kudo njëlloj dhe njëkohësisht, rrezikojmë që ta zgjerojmë fushëveprimin e armikut, duke rritur ndjeshëm numrin e të infektuarve, në mos edhe të viktimave, për shkak të mos përballimit në sistemin shëndetësor.

“Në një zonë si Gjirokastra apo Dibra ku rrisku është më i ulët, do të kemi më shumë lehtësim. Ndërsa në Kurbin, Tiranë apo Durrës, do të ketë hapje më të moderuar. Natyrisht kjo gjë do të ndryshojë sipas shifrave të infektimeve”, tha kreu i qeverisë.

Rama njoftoi se edhe fashat orare nuk do të jenë njëlloj si në një zonë me rrisk të lartë edhe në një tjetër në një zonë me rrisk të ulët.


Shtuar 22.04.2020 16:59