Rama flet për gjobën ndaj Bashës në Durrës: Sjellje të papërgjegjshme

Kryeministri Edi Rama thotë se është e pa imagjinueshme ajo që ndodhi me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi të këtij të fundit në Durrës, i cili u gjobit nga policia lokale.

Rama thotë se ligji do të funksionojë për këdo, duke përmenduar edhe takimet e Aleancës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

“Nuk do të doja kurrë të përsërisja këtë, por është e tmerrshme nga pikëpamja qytetare le pastaj e sfidës ndaj shëndetit të të tjerëve ajo që ndodhi me kryetarin e Partisë Demokratike në Durrës dhe përsëri mbrëmë në të ashtuquajturin shesh të mbrojtjes së identitetit kulturor është çdo lloj konceptimi.

Ligji do të funksionojë edhe për kryetarin e PD-së dhe për këdo tjetër që thyen ligjin. Problemi është çfarë pasojash do të kemi nga këto sjellje të papërgjegjshme. Prandaj, mos merrni shembullin e kryetarit të PD-së. Nuk e bën kërkush sot në botë një person që ka përgjegjësi publike”, theksoi ai.

Më tej, kreu i qeverisë u shpreh se nëse masat për mbrojtjen nga koronavirusi nuk do të respektohen, nuk është çudi të rikthehemi prapë në izolim.

“Nuk është aspak çudi që një zonë e gjelbër mund të rikthehet e kuqe nëse numrat kërcejnë ashtu sikundër një zonë e kuqe është normale të kthehet në zonë e gjelbër. Pak hapemi dhe fillojnë numrat dhe rriten, larg qoftë pastaj të rriten të shtruarit dhe të inkubuarit.

Dëshiroj ta bëj të qartë se në kushtet e zonës së kuqe do të vazhdojmë të kemi disa kufizime. Më pyesin pse mbajmë fashën orare se virusi nuk del në mëngjes dhe kthehet në darkë. Fashet orare kanë rol në dekurajimin e daljeve të tepërta, që nuk janë të domosdosshme.

Nëse nuk kemi fashën orare, i bie që njësoj si në një zonë të gjelbër në një zonë të kuqe, baret dhe restorantet të jenë të hapura dhe pastaj të stimulohen gjëra që në këtë moment nuk mund të jenë. Kufizimi i daljeve në fundjavë është pikërisht për këtë. Nuk mundet që me dorën dhe këmbët tona të shkojmë drejt një mbyllje totale”, u shpreh ai.


Shtuar 15.05.2020 16:41