Qeveria merr vendim për të ndërhyrë në lumin Lana, fondi 1.5 miliardë lekë

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të kësaj të mërkure është marrë vendim për të ndërhyrë në shtratin e lumit Lana.

Bëhet fjalë për financimin në vlerën 1 590 000 000 lekë, të bashkëfinancimit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit “Shtrati i Lumit Lana-zhvillim urban”, që do të financohet nga Banka Evropiane e Investimeve

Vendim

Për financimin e kontributit të këshillit të ministrave të republikës së shqipërisë për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban”, që do të financohet nga banka evropiane e investimeve

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 50 e 51, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ligjit nr.63/2019, “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i Lumit Lana-zhvillim urban”, të ligjit nr.64/2019, “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i Lumit Lana- zhvillim urban””, me propozimin e ministrit të Finanacve dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Financimin në vlerën 1 590 000 000 (një miliard e pesëqind e nëntëdhjetë milionë) lekë, të bashkëfinancimit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit “Shtrati i Lumit Lana-zhvillim urban”, që do të financohet nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI). Vlera prej 1 590 000 000 (një miliard e pesëqind e nëntëdhjetë milionë) lekësh, e cila do të përdoret për qëllimin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, do të përballohet 50% nga buxheti i shtetit, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe 50% nga buxheti i Bashkisë së Tiranës, dhe do të shtrihet në tri vite, si më poshtë vijon: a) 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekë, për vitin 2021; b) 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekë, për vitin 2022; c) 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekë, për vitin 2023. Efekti financiar, sipas shkronjës “a”, të pikës “2”, të këtij vendimi, prej 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekësh, do të parashikohet: a) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2021 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në zërin “Kosto lokale”; b) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2021 të Bashkisë Tiranë. Efekti financiar, sipas shkronjës “b”, të pikës “2”, të këtij vendimi, prej 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekësh, do të parashikohet: a) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2022 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në zërin “Kosto lokale”; b) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2022 të Bashkisë Tiranë. Efekti financiar, sipas shkronjës “c”, të pikës “2”, të këtij vendimi, prej 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekësh, do të parashikohet: a) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2023 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në zërin “Kosto lokale”; b) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2023 të Bashkisë Tiranë. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.


Shtuar 29.01.2020 16:17