Politikanët, gënjeshtrat dhe marrëdhënia e ngushtë mes tyre

Nga Alma Janka

Gjithëkush nga ne është bërë dashur apo pa dashur dëgjues apo lexues i premtimeve të dhëna nga politikanë të ndryshëm gjatë fushatave elektorale ose jo, gjatë debateve televizive dhe jo vetëm, në daljet e tyre publike apo në aktivitete të ndryshme.

Ndodh që dikush i beson fjalët e një politikani/eje, ndodh që dikush i mer me skepiticizëm, ka edhe nga ata që jo vetëm nuk i besojnë por as nuk denjojnë t’i dëgjojnë/lexojnë se ç’kanë për të thënë. Përballja më e madhe rëndom ndodh të jetë me krerë të partive më të mëdha politike, më krerë qeverish apo shtetesh, bashkish apo edhe institucionesh të tjera të rëndësishme etj, ndaj dhe sfida më e madhe e secilit prej nesh e të pranuarit apo jo për të vertetë fjalën e tyre, mbetet po kjo kategori.

Në metropolin shqiptar një prej politikanëve më protagonistë e më aktivë në rrjetet sociale, në median vizive e atë të printuar është kryebashkiaku Erion Veliaj. Ka mbajtur kaq shumë fjalime, është takuar e ka biseduar me dhjetëra e qindra banorë të Tiranës, ka marrë pjesë në inaugurime të shumta, ka prerë shirita inagurimi e po aq shumë ka dhënë edhe premtime gjatë mandatit të të tij në këtë post.

Kështu psh, në një intervistë dhënë para zgjedhjeve të qershorit të 2015-ës në emisionin “Opinion’’, Veliaj premtonte se tek diga e Liqenit nuk do të kishte më ndërtime dhe se nuk do të lejonte kurrësesi të ndërtohej në atë zonë . Të njëjtën gjë do të premtonte gjatë një dëgjesë publike me banorë të njësisë 5 në maj të 2016-ës ku numri një i bashkisë më të madhe në vend u shpreh qartë dhe prerë se nuk do të kishte ndërtime tëk diga e Liqenit Artificial.

https://www.youtube.com/watch?v=EGZCOq-ShAI

Edhe pse kjo çështje ishte në proces gjyqësor dhe për të cilën Veliaj deklaronte se ishte pjesë e planit urbanistik të firmosur nga paraardhësi i tij Lulzim Basha dhe Jamarbër Malltezi , ai siguroi se një plan i tillë nuk do të zbatohej dhe se tek diga e Liqenit nuk do të kishte kulla. Shumëkush edhe e besoi. Të tjerë menduan se gropa gjigande e hapur aty do të mbushej e mbi të do të ndërtohej ndoshta një fushë, ndoshta kënde lojërash për fëmijë, ndoshta një park…ndoshta gjithçka tjetër që gjithashtu premtoi po vetë Veliaj, përvecse një bllok kullash gjigande. Por premtimi i dhënë u harrua.

Pothuajse të gjithë banorët e Tiranës por edhe të tjerë që e përshkojnë atë zonë për të hyrë apo për të dalë nga kryeqyteti mund të shohin lehtësisht lartësimin e kullave si pjesë e një projekti gjigand që jo vetëm nuk mbeti i tillë në letër por u jetësua duke mbushur hapësirën fizike por edhe mendjen e njerëzve që politika apo politikanët janë gënjeshtarë të ndërgjegjshëm.

Nëse lexon në Wikipedia për të kuptuar se ç’është politika, një ndër përkufizimet për të thotë se politika është një proces me të cilin grupe njerëzish marrin vendime kolektive. I bukur si definicion por i vështirë për t’u zbatuar e për t’u besuar, aq më tepër për këtë rast ku më së shumti duket se ka qenë vendim aspak kolektiv. Kreu i bashkisë nuk nguroi të thoshte se institucioni që ai drejton i mban premtimet por e vërteta flet ndryshe.

Ishte i bindur asokohe por edhe më pas Veliaj kur thoshte se nëse qytetarët e Tiranës nuk e donin këtë projekt kullash, në këtë zonë nuk do të lejonte asnjë ndërtim, madje edhe u bë pjesë e protestave të zhvilluara ndaj Gjykatës Administrative të Apelit për të kundërshtuar lejen e ndërtimit tek diga e Liqenit Artificial të Tiraënës, por sërish e vërteta flet ndryshe. Premtimi u bë publik jo një por disa herë, por fjalët i mori era dhe prej shiut që mbushte hera-herës gropën gjigande duket sikur ‘’mbiu’’ jo një pallat shumëkatësh por një bllok pallatesh.

E megjithatë vetëm pak metra larg bllokut të pallateve që pothuajse është drejt përfundimit, ndodhet Liqeni Artificial, tashmë një park i rehabilituar dhe mjaft i këndshëm për të kaluar një pjesë të kohës së lirë. Me qëllimin për të përmirësuar stilin e jetës, kryetari i Bashkisë Tiranë prezantoi në 17 prill të 2019-ës, nismën më të re ‘’Friendly Wi-Fi’’ që garantonte internet falas për të gjithë frekuentuesit e këtij parku.
https://tirana.al/artikull/internet-falas-te-parku-i-liqenit-i-sigurt-dhe-miqesor-per-femijet-dhe-familjet
Si një ndër frekuentueset e Liqenit Artificial, kam tentuar disa herë ta shfrytëzoj këtë mundësi për të lundruar në internet por një gjë e tillë nuk u mundësua.

Shpresa dhe njëherazi dëshira për të gjetur internet falas në këtë hapësirë, në natyrën e mrekullueshme të parkut, ashtu siç ishte premtuar më herët, nuk u përjetësuan. Pas një minisondazhi të kryer edhe me frekuentues të tjerë të këtij parku, kryesisht adoleshentë që preferojnë të kalojnë orë nga fundjava në natyrë, u konfirmua e njëjta gjë. Migeli 15-vjeçar që shëtit pothuajse çdo fundjavë tek Liqeni Artificial, thotë se nuk është në dijeni nëse kjo nismë ka funksionuar në fiillimet e saj por se është i sigurtë se aktualisht nuk funksionon. Thuajse një vit më parë, Veliaj premtoi se nisma do të mundësohej edhe në zona të tjera të Tiranës, por edhe nëse prezantohet një projekt i tillë në hapësira të tjera, do të ishte mirë që të garantohej funksionimi i plotë dhe I vërtetë së pari tek Parku Liqenit e më pas të instalohej gjetkë.

Nëse do të kërkonim edhe më tepër, për të mos u lokalizuar vetëm tek Liqeni i Tiranës, me siguri do të gjejmë të tjera gënjeshtra apo premtime të pambajtura që s’i shërbejnë askujt, përveçse atij që i ka thënë për përfitime personale apo për të siguruar elektorat, pushtet apo tjetër. Mjafton kaq ndoshta për të kuptuar se pushteti nuk mund të mbahet dot ndryshe dhe se gënjeshtrat apo të pavërtetat janë themei propagandës.

Politikanët dhe gënjeshtrat, sociologia shpjegon konceptet.

Sociologia Entela Binjaku e pyetur se përse gënjejnë politikanët në përgjithësi, argumenton kështu: -“Përpara se të kaloj në përgjigje të pyetjes suaj mendoj të sjell disa vlerësime. Së pari po sjell shprehjen monumentale të Xhorxh Oruellit: “Një popull që voton të korruptuarit, mashtruesit, tradhtarët, hajdutët nuk është viktimë. Ai është bashkëpunëtor”. Ndaj për të kuptuar raportin e politikanëve tanë me gënjeshtrën, mbase do të duhet të kuptojmë më mirë edhe rolin tonë si shoqëri ndaj politikanëve që zgjedhim. Çfarë na bën të votojmë e të zgjedhim politikanë që koha i provon se premtimet që bëjnë rezultojnë mashtrime elektorale?

Politikanët ndihen të qetë edhe pse gënjëjnë sepse shoqëria nuk është e gatshme të verifikojë informacionet, disa thonë se është shoqëri me kujtesë të shkurtër, apo mbështeten tek prirja e njerëzve për të besuar çdo pohim që ata bëjnë, mjaft që të jetë në përputhje me bindjet personale. Edhe kur pohimet e tyre rezultojnë gënjeshtra, është relativizmi moral i shoqërisë sonë, toleranca ndaj atyre që shkelin ligjet, admirimi ndaj “të zotëve” dhe “të shkathtëve” që sërish i bëjnë ata të vijojnë qetësisht aktivitetin politik.

Por lidhja mes politikanëve dhe gënjeshtrave nuk është një ide që qarkullon vetëm tek ne. Gënjeshtra është temë dite për shumëkënd. Edhe revistat prestigjoze si psh. “The Economist” i kanë kushtuar vëmendje të posaçme kësaj teme. Kjo ndodh ndoshta edhe sepse psikologjia është një fushë ende e pashkelur në shumë drejtime, por edhe sepse raporti i politikanëve me gënjeshtrën u lihet në dorë atyre që merren me etikën, kryesisht medias.
Gënjeshtra është e lidhur edhe me tiparet e personalitetit të politikanit.

Cilësitë e personalitetit ndikojnë në sjelljen e tij. Mund të ndodhë që gënjejnë sepse janë patologjikë, ose kronikë, mund të ndodhë që të gënjyerit të jetë simptomë e çrregullimeve ku përfshihen: narcizimi, bipolariteti, grandomania, komplekset e inferioritetit, infantilizmi moral etj.

Një ndër studiuesit që është marrë gjerësisht me profilin e politikanit është Leo F. Seltzern. Ai flet për “narcizmin galopant në politikë”.

Sipas tij Leo F. Seltzern cdo politikan është narcizist, por jo cdo narcizist është politikan. Sipas tij politikanët narcizë kanë dy gjëra shumë të dëshiruara dhe të lidhura me njëra-tjetrën: paratë dhe pushtetin. Paraja dhe pushteti u pergjigjen nevojës së tyre për madhështi që ua kërkon uni i tyre tashmë i ridimensionuar. Është kënaqësia që jep pushtetit, prestigji, statusi dhe autoriteti që nxisin një narcizist të hyjë në politikë. Përmes këtyre ai shpreh superioritetin ndaj të tjerëve dhe vecantinë personale. Oreksi i narcizëve për të mira materiale është i pashtershëm.

Kështu shpjegohet edhe pasuria e jashtëzakonshme e disave. Orientimi i tepruar drejt të mirave shprehet përmes idesë së ngulitur se ata politikanët, narcizët meritojnë çdo gjë. Asgjë nuk i bën të ndjehen fajtorë sepse çdo gjë u vjen për shtat.
Në profilin e politikanit narcizist qëndrojnë: ambicia, arroganca, madhështia, zhvleftësimi i të tjerëve, mendjemadhësia, shqetësimi për pamjen e jashtme, dëshira për tu mburrur ose për lavdërime, manipulimi i atyre përreth, vlerësimi i servilëve që i ushqejnë idenë e superioritetit etj.
Nisur nga ky profil, lë të ngremë pyetjen; a shfaqin politikanët tanë shenja narcizimi?!

Pyetjes nëse beson se mund të ketë politikanë që nuk gënjejnë, ekspertja i përgjigjet:

-‘‘Testi për t´i dalluar në gënjejnë apo jo është pushteti, detyrat apo funksionet e larta. Kjo sepse pushteti ka prirjen të korruptojë, por “pushteti absolut, korrupton absolutisht”, siç citon politikani britanik i shekullit të 19-të, Lordit Akton. Që të kuptojmë edhe në ka ndonjë që nuk gënjen ndoshta duhet të kuptpjmë edhe kontekstin në të cilin ata veprojnë politikisht.
Në vitin 2016 “Oxford Dictionaries” cilësonte si fjalën e vitit fjalën post-truth.

Me post truth kuptojmë situatën kur e vërteta bëhet e parëndësishme dhe pa vlerë. Ato që kanë rëndësi në formimin e opinioneve publike nuk janë faktet objektive, por thirrjet emocionale dhe bindjet personale.
Në epokën e post-truth-it dhe e internetit politikanët nuk mundohen më për të ndryshuar realitetin që t´i përshtaten gënjeshtrave që thonë. Për aq kohë sa jetojmë në këtë epokë, do të ketë gjithmonë politikanë që gënjëjnë.

Kureshtjes sime për të ditur nëse ka ka gjasa që gënjeshtra të mos jetë më pjesë e politikës/politikanëve, socilogia Entela Binjaku i përgjigjet në këtë mënyrë.

“Po të kuptojmë të mirat që u vijnë prej gënjeshtrave, do të kemi vazhdimisht politikanë që gënjejnë. Për aq kohë sa në radhët e tyre do të gjejmë politikanë që dëshirojnë t´u përcjellin të tjerëve një identitet të rremë, për aq kohë sa në procesin e shoqërizimit në familje i kryer në vegjëli është ushqyer pandërshmëria, për aq kohë sa shoqëria vetë e nxit gënjeshtrën duke e quajtur atë si një aftësi shoqërore për të bashkëjetuar në mënyrë harmonike, gjasat që gënjeshtrat të mos jenë pjesë e politikanëve tanë, janë të vogla.

Megjithatë para se të jenë politikanë, ata janë njerëz dhe studimet pohojnë se tri janë arsyet pse njerëzit gënjejnë: 1. Frika nga pasojat e një veprimi të kryer 2. Niveli i vetëvlerësimit – pra identiteti personal apo publik dhe 3. Gënjeshtra për të shmangur fyerjen, lëndimin dikujt, pra gënjehet për të mbrojtur dikë”.

Gjithçka sa më lart sociologia Entela Binjaku shpjegon, tregon qartë raportin ndërmjet politikës/politikanëve dhe gënjeshtrës ndaj gjykoj se secili prej nesh mund të kuptojë fare mirë se si funksionojnë këto dy koncepte, si të përpiqemi të ndërmarim vendime më të mira për të vepruar/kundërvepruar ndaj secilit prej tyre apo si të kuptojmë si gazetarë se fake news-et (lajmet e rreme), gënjeshtrat, keqinformimet etj, do të jënë gjithnjë pjesë e politikës dhe e lajmeve në të gjitha llojet e mediave, përsa kohë rrethanat apo kushtet (siç shpjegon sociologia, veçanërisht në përgjigjen e tretë të saj) e favorizojnë një gjë të tillë.


Shtuar 17.03.2020 15:37