Pas 3 muajsh nisin punë autobuzat në Tiranë por me probleme sigurie

Banorët e Tiranës rinisën lëvizjen e tyre me urbanë, pas muajsh ndërprerje, për shkak të pandemisë.

Por dita e parë e transportit publik në Tiranë solli edhe disa problematika, kryesisht për sa i përket zbatimit të masave të sigurisë.

Përdorimi i maskës ishte elementi kryesor.

Policia bashkiake inspektonte situatën në disa linja, megjithatë vetë pasagjerët janë skeptikë, si për vendosjen e maskës, ashtu edhe për distancimin fizik.

Përdorimi i dezinfektantëve mbetet në dorë të pasagjerëve.

Xhamat e autobusëve duhen mbajtur hapur përgjatë gjithë kohës, ndërsa mjetet dezinfektohen përgjatë orëve të natës.

Urbanët e të gjitha linjave nisën lëvizjen me kapacitet të plotë automjetesh, që në orën 05.00 të kësaj së hëne, por me kalimin e orëve autobusët u rralluan për shkak të mungesës së pasagjerëve.

Burimet pranë operatorëve thanë për “A2” se nëse kjo situatë do të vijojë, atëherë transporti mund të ndërpritet sërish, pasi humbjet janë të mëdha.

Por, për qytetarët, lëvizja me urbanë është e domosdoshme.

Abonetë për muajin gusht do të shpërndahen pas datës 20 korrik, ndërsa çmimi i biletës mbetet i njëjti, pra 40 lekë të vjetra.


Shtuar 6.07.2020 14:22