Administratori i OSHEE Adrian Çela shpjegoi të mërkurën se si do të bëhet falja e kamatvonesave për energjinë elektrike, si dhe kategoritë që përfitojnë. Çela, në emisionin “Open”, tregoi shembuj konkret të qytetarëve që përfitojnë nga vendimi i qeverisë. Në total tha ai janë 227 568 abonentë.
“Kategoria e parë e përfituesve janë ata të cilët kanë një borxh të vjetër dhe janë aktualisht në një aktmarrëveshje me OSHEE për shlyerjen e këtij detyrimi me këste, përkrah faturës mujore. Më tej, Çela u ndal në disa raste konkrete, për të ilustruar më qartë mënyrën e përfitimit dhe shumat përkatëse në rastet e familjarëve, bizneseve të vogla dhe pensionistëve të përfshirë në këtë kategori.
Shembulli 1
Abonenti pensionist kryefamiljar nga Burreli me numër kontrate 8630. Sot, në sistem ai ka në total një borxh të trashëguar prej 2 milion e 630 mijë lekë të vjetra. Kësti i tij mujor është 1800 lekë. Nga vendimi i marrë, këtij abonenti i falet shuma prej 1 milion e 290 mijë lekë të vjetra. Për pjesën e mbetur për të shlyer, kësti mujor i zbritet në 1000 lekë.
Shembulli 2
Abonenti familjar nga Lushnja me numër kontrate 45061. Sot, në sistem ai ka në total borxhin prej 2 milion e 460 mijë lekësh të vjetra. Kësti i tij mujor është 2800 lekë. Nga vendimi i marrë, këtij abonenti i falet shuma prej 1 milion e 233 mijë lekësh të vjetra. Për pjesën e mbetur për të shlyer, kësti mujor i reduktohet në 2000 lekë.
Shembulli 3
Subjekti privat biznes i vogël që ushtron aktivitetin në Elbasan dhe ka numër kontrate 29010. Aktualisht ka në sistem një borxh të mbartur prej 2 milion e 67 mijë lekësh të vjetra. Kësti i tij mujor është 4690 lekë. Nga vendimi i marrë, këtij abonenti i falet shuma prej 1 milion e 167 mijë lekësh të vjetra.
Kategoria e dytë e përdituesve janë ata të cilët kanë një borxh të vjetër energjie por nuk kanë të nënshkruar një aktmarrëveshje me OSHEE. Kushti që ata të përfshihen në skemën e faljes së kamatës është nënshkrimi i një aktmarrëveshjeje prej tyre brenda 30 Qershorit 2020.
Por a përfitojnë njësoj në vlerë financiare edhe këta abonentë? Sërish, administratori i OSHEE solli dy shembuj ilustrues, një familjar dhe një biznes të vogël.
Shembull 1
Abonenti familjar nga Shkodra me numër kontrate 88685. Aktualisht ai nuk ka një aktmarrëveshje me OSHEE por ka një borxh në sistem prej 2 milion e 134 mijë lekësh. Ai mund të përfitojë nga vendimi vetëm nëse brenda datës 30 Qershor nënshkruan një AKM. Në këtë rast ai përfiton faljen e 1 milion e 84 mijë lekëve të vjetra. Detyrimin e mbetur e paguan më tej me këst prej 2000 lekë/muaj.
Shembulli 2
Abonenti biznes i vogël nga Fushë Kruja me numër kontrate 76979. Aktualisht ai nuk ka një aktmarrëveshje me OSHEE por ka një borxh në sistem prej 2 milion e 260 mijë lekësh të vjetra. Ai mund të përfitojë nga vendimi vetëm nëse brenda datës 30 Qershor nënshkruan një AKM. Në këtë rast ai përfiton faljen e 1 milion e 282 mijë lekësh të vjetra. Detyrimin e mbetur e paguan më tej me këst të reduktuar prej 5491 lekë/muaj”, tha Çela.