OFL zbarkon në Vlorë, këta janë 4 të dënuarit që u kërkohet burimi i pasurisë

Operacioni Forca e Ligjit vijon dërgimin e formularit të vetëdeklarimit të pasurisë ndaj personave të skeduar me rekorde kriminale, ndërsa së fundmi ka zbarkuar në Vlorë duke iu vendosur 48 orë afat 4 personave që të deklarojnë burimin e të ardhurave.

Faxweb.al mëson se të 4 personat Viktor Shoraj (Robert Toro), Dino Abazi, Daniel Nikaj, Julian Toro banues në Vlorë dhe janë të skeduar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Njoftimi i OFL: Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

J. T., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
•V. Sh. alias R. T., banues në Vlorë, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
•D. A., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Mbajtja e substancave narkotike”;
•D. N., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.


Shtuar 17.08.2020 10:00