Nga Emirjon Senja
4-5 vite punë e specialistëve më të mirë vendas për të bërë një gjë të hajrit për qytetarët në sektorin e sigurimeve u finalizuan me një banalitet të quajtur projektligj që është hedhur sëfundmi për diskutim me palët e interesit.
Në fakt tani s’ka asgjë për të diskutuar se kush kishte për të futur duart i futi.
Kaposhi që do te bënte një ndryshim thelbësor ne tregun e sigurimeve u kthye në një thelë të tipit: Si të duan kompanitë!
Shembujt botërorë dhe vendas kanë treguar se kur është pune me “si të doni” , ustallarët kane ditur mirë se si ti bejnë gjërat duke ia ngopur qytetarit.
Drafti i propozuar nga Ministria e Financave ka prekur shtyllën kurrizore të këtij ligji tek i cili besuan shumë: Skema “bonus malus”.
Sipas kësaj skeme të thjeshtë, por që ka bërë diferencën në vendet ku është aplikuar: Paguan më shumë prim kur sigurohet një shofer gomar dhe i rrezikshëm dhe më pak një shofer i rregullt që nuk ka aksidente në historikun e tij.
Madje, aq me zell u mor kjo punë sa qe AMF filloi të mbante historikun e shoferëve me shpresën se ligji do të kalohej sipas këtij standardi.
Krahas tij, ligji parashikonte përmirësime të ndjeshme në lidhje me pagesat e dëmeve ndaj të siguruarve, ndërsa çonte hakun tek i zoti: Secili paguante tamam sipas kokës.
Por një implementim i këtij parimi do të ulte fillimisht primet për kompanitë duke rritur njëkohësisht nevojën për më shumë transparencë e mirëadministrim dhe duke nxitur konkurrencën.
Po ka ndodhur ndonjëherë ti thuash tjetrit bëj si të duash dhe ai të të thotë “OK, ma prit rriskun”? Sidomos ustallarët në Shqipëri?
Duke zhbërë praktikisht këtë ligj këta i kanë bërë llogaritë afatshkurtra, ndërsa ekuacioni funkisonon ndryshe: Paguaj dëmet në kohë dhe rriten primët duke dalë më i fituar sot e nesër nga 5 lekë të harxhuara dje.
Ka një shembull të kësaj dukurie gjatë fillimit të këtij viti tek një kompani “e vogel”, por s’po futem tek kjo pjesë.
Çfarë ndodhi?
Ligji u zvarrit fillimisht duke u mykur në sirtarët e MF, në te cilën u shtuan vizitat e bosëve të sektorit që me “dy goditje te arta” sollën këtë draft sipas të cilit kompanitë po të duan e aplikojnë “bonus malus-in” e po te mos duan edhe mund të mos e aplikojnë.
S’po i hyj ndërkohë përgjysmimit te shumës minimale te përgjegjesisë për çdo person te demtuar ne rast aksidenti nga 50 milion lekë ne 22 milion leke se kjo është tjeter histori peshkaqenësh.
Ajo që të bën të të vijë keq është se mes atyre që kanë shkatërruar këtë ligj ka kompani partnerë të kompanive me histori të madhe në Europë dhe që përdoren si brand në çdo spot.
Siç duket këto kompani standardet i aplikojnë kur punojnë në Europë dhe në Shqipëri sillen sipas “vendit”.
Më erdhi realisht keq për këtë ligj se e kam ndjekur që në fillim dhe besoja se mund të bëhej diçka e mirë më në fund.
