Nga Reuters te Balkan Insight, çfarë shkruan sot mediat ndërkombëtare për shembjen e Teatrit

Ditën e sotme (17 maj 2020), në orët e para të mëngjesit godina e Teatrit Kombëtar është shembur nga fadromat e IKMT-së, të cilat ende vijojnë aksionin për heqjen e inerteve. Gjithashtu pritet që fadromat të rrëzojnë edhe godinën e Teatrit Eksperimental.

Ky aksion i policisë u shoqërua edhe me protesta nga shoqëria civile, aleanca për mbrojtjen e teatrit dhe opozita. Një prej protestuesve u gjakos, një grua e mbuluar u rrëzua në shesh teksa përplasej me policinë, emra të njohur të opozitës dhe gazetarisë u morën zvarrë nga policia, por sërish aksioni nuk u ndal.

Në këto momente duket se situata, që para pak orësh ishte e tensionuar, tashmë është qetësuar dhe në shesh qytetarët thuajse janë shpërndarë.

Raportimi

Transmetimin e situatës në vend dhe shembjen e teatrit e kanë raportuar media ndërkombëtare, mes tyre Reuters, Daily Mail, Balkan Insight, Exit News, Daily Indipendent.

“Reuters” nër të tjera shkruante:

Autoritetet shqiptare filluan rrënimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, mëngjesin e kësaj të diele, pasi tërhoqën duzina aktorësh dhe aktivistësh, që e mbronin atë. Teksa i tërhiqnin ata brohorisnin “turp” dhe “diktaturë”.

Për më shumë se dy vjet aktorë, aktivistë dhe opozita kanë kundërshtuar planet e kryeministrit, Edi Rama për të ndërtuar një teatër të ri, duke thënë se ndërtesa ekzistuese ishte pjesë e trashëgimisë së vendit, dhe e akuzuan atë për praktika korruptive.

Protesta çoi në 37 arrestime dhe një polic u shtrua në spital pasi u godit nga protestuesit. Ndërsa një dëshmitar i ‘Reuters’ gjithashtu se kishte parë një protestues me lëndime në kokë.

Njëri nga të arrestuarit, analist i medieve, Alfred Lela, tha pas lirimit të tij se policia kishte përdorur dhunë të pajustifikuar dhe abuzim verbal. Policët shkelmuan protestuesit, të cilët hodhën shishe uji, sipas një dëshmitari të Reuters, por policia tha se akuzat për dhunë ishin të pavërteta.

Reagimet

Lidhur me këtë akt të shembjes së Teatrit Kombëtar reagimet ishin të shumta dhe “Panorama” ka raportuar hap pas hapi ngjarjen.

Artistë, aktorë, politikanë, ndërkombëtarë dhe organizata ndërkombëtare nuk u kursyen se teatri Kombëtar nuk duhet të shembej.

Presidenti i Republikes, Ilir Meta e konsideroi krim kushtetues, ligjor dhe moral të pa amnistueshëm shembjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa shtoi se dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për mafien në pushtet.

Me zë të emocionuar, në lot, artistja e madhe, aktorja Roza Anagnosti nuk ka mundur të mos e shfaqë trishtimin për atë që po ndodh tek Teatri.

“Ça të jem, e trishtuar me këtë pamje që shikoj. Jam shumë e trishtuar, nuk kam fjalë që të them, më vjen keq,. nuk kam fjalë. Është e dhimbshme, nuk e justifikoj Policinë e Shtetit dhe njerëzit që janë aty pranë kanë bindjen e tyre, duhet respektuar gjithsecili. Policia nuk duhet t’i prekë me dorë asnjëri”, tha aktorja Anagnosti ndër të tjera.

Eurodeputeti, Michael Gahler (Gjermani) dhe përfaqësues për çështjet e jashtme e të zgjerimit i grupit parlamentar të PPE në Parlamentin Europian kërkonte nga kryeministrit Rama që të ndalte shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar. Më herët ai bënte thirrje për ndaljen e dhunës ndaj artistëve e aktivistëve dhe të angazhohet në dialog me të gjithë grupet e interesuara përfshirë Europa Nostra dhe Institutin e Bankës Evropiane të Investimeve.

Edhe reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian David Lega iu bashkua deklaratës së eurodeputetit gjerman, kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ndërsa kryetari i PD-se, Lulzim Basha ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha hapave demokratik për të larguar Edi Ramën, ndersa theksonte se Kreu i opozitës si sot tri vete më parë ka gabuar kur u ul në një tryezë me Edi Ramën. Por ai tha se këtë e ka bërë vetëm për të mirën e shqiptarëve.

Po ashtu ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf reagoi pas vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar, duke theksuar se shembja në këtë mënyrë është e vështirë për t’u kuptuar për të.

Së fundmi ka reaguar edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili nëpërmjet një deklarate për mediet kërkoi bashkëpunim për të ndërtuar godinën e Teatrit të ri.


Shtuar 17.05.2020 13:54