Neritan Liçaj me zërin e ngjirur: U përpoqën të na vrasin shpresën

Me zërin e ngjirur, por i fuqishëm për të vazhduar kauzën, aktori Neritan Liçaj tha se pushteti që rrëzoi Teatrin Kombëtar tentoi të vrasë shpresën. Ai i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që ti bashkohen protestës së tyre.

Neritan Liçaj: Pjesa ime e mirë mbetet e lirë dhe ka fituar mbi ato. Unë thërras në këtë kauzë të gjithë shqiptarët, thërras të gjithë organizimet shqiptare, organizimet politike, gjithçka që ka mbetur e mirë shqiptare, gjithcka që ka dhënë shpirtin e vet mbi krahët e shqiponjës, bijtë e të cilit ne të gjithë jemi të fluturojmë lart dhe gjarpërinjtë që na ngatërrojnë ti përplasim në shkëmb dhe ne të meritojmë emrin bijtë e shqipes.

U përpoqën të na vrasin shpresën. Por shpresa nuk vritet, sepse shpresa është brenda cdo njeriu. Mendoj se kjo dritë shprese mua më ka mbajtur mbi dy vite atje. U përpoqën të vrasin artin. Pse? Sepse arti forcon dy muskuj (zemrën dhe mendjen). Është muskuli i patriotit që të bën të jesh kuq e zi. Atë nuk e vrasin dot kurrë, kot ta kenë.

Prandaj unë them, dritën e shpresës mbajeni aty. Kjo protesta për teatrin ka qenë si një qiri që ndezi shumë protesta qytetare në Shqipëri. Teatri u kthye në tempull, i cili i dha jehonë shpirtit qytetar.

Zoti kur e bëri këtë vend unë mendoj se ka qenë i dashuruar, sepse vendi ynë është shumë i bukur.

Hajde ta bëjmë akoma më të bukur ne qytetarët, duke mos u përcare, duke mos patur interesa. Mbi këto interesa të vëmë cik atë zemrën kuq e zi që kemi.

Unë i them cdo kujt, fermerit, studentit, pedagogut, mjekut, efektivëve të policisë, politikanëve, hajde të shikojmë si mund ta ndreqim Shqipërinë. Unë kam fëmijë dhe për të ardhmen e fëmijëve të mij jap dhe jetën.

Të mos e urrejmë këtë vend të bukur.

Ejani të gjithë të shikojmë secili prej nesh, nga qytetari deri te politikani cfarë mund të ndreqim, përtej kalukimeve.

Rama dhe Veliaj nuk kanë zemër, kanë shkretëtirë. Unë dhe ju nuk besoj se keni shkretëtirë. Prandaj ejani të mbjellim dhe jo të presim.

I them edhe pushtetit të raskapitur. Mund të bëni cfarë të doni, por rëndësi ka për mua cfarë bëj unë. Këtë rezistencë ja kemi treguar, ne nuk na pengoni dot.


Shtuar 18.05.2020 15:44