Në Maj qeveria do të kërkojë 507 milionë euro borxh

Ministria e Financave parashikon që në muajin Maj të dalë në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh, përmes emetimit të një Eurobondi të ri.

Shuma që pritet të kërkojë qeveria do të jetë rreth 62 miliardë lekë apo 507 milionë euro dhe do të përdoret për të plotësuar nevojat e ekonomisë për financim apo edhe për të riskeduluar borxhin aktual me qëllim uljen e kostove.

Pas dështimit të tenderit të parë, për shkak se u paraqite vetëm një operator, ky institucion ka hapur sërish tenderin për përzgjedhjen e konulentit ligjor për emetimin e Eurobondit të katërt.

“Qeveria e Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kërkon të prokurojë shërbimin e një firme ligjore të specializuar në dhënien e konsulencës ligjore për emetimin e Eurobond-it të katërt, me ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat me vlerë, që të shërbejë si konsulent ligjor në lidhje me emetimin e këtij Eurobondi”, shkruhet në dokumentet e tenderit. Fondi limit është rreth 24 milionë lekë dhe afati i aplikimeve është data 28 janar.

Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është duke e filluar nga data e nënshkrimit të kontratës deri më 31.12.2020.

Parashikohet që kohëzgjatja normale e procesit të jetë 8-12 javë, por kjo nuk përjashton mundësinë që autoritetit t’i duhet konsulenca edhe përtej këtij afati, në varësi të kushteve të tregut.

Në muajin Tetor të 2018-ës, qeveria shqiptare realizoi Eurobondin e tretë në tregjet ndërkombëtare, me vlerë 500 milionë euro duke përfituar një normë interesi 3.55 për qind, me afat maturimi 7-vjeçar./scan


Shtuar 15.01.2020 15:52