Mori 6 mijë euro ryshfet! Arrestohet avokati i akuzuar publikisht për korrupsion

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një avokat 56 vjeçar nën akuzat e korrupsionit.

Avokati Sami Dema, njëkohësisht kreu i Dhomës së Avokatisë në këtë qytet, u denoncua vitin e shkuar pasi merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të ndikuar në uljen e dënimit për të burgosurit.

Denoncimi:

Përmes një investigimi, avokati ndërmjetësonte si sekser me gjyqtarët e gjykatës së Kurbinit, ku u arrit të pushoheshin hetimet dhe të lirohej një i akuzuar për kultivim të bimëve narkotike. Investigimi ka zbuluar se për te paguar gjyqtarët, janë marrë 6 mijë euro, ku nëpërmjet kamerave të fshehta u zbulua i gjithë mekanizmi.

Denoncimi mbërriti në ‘Fiks Fare’ nga Kastrijot Sula, i cili tregoi fakte sesi babai i tij pagoi 10 milionë lekë avokatin Sami Dema që vëllai i tij Besnik Sula të mos dënohej. Tre pjesëtaret e familjes Sula ishin nën akuzë për kultivim narkotikësh.

Avokati Dema në video ka pranuar se 6 mijë euro i ka marrë për t’ua dhënë gjyqtarëve që kishin çështjen në gjykim, ndërsa tre milion lekë ai i ka marrë për vete.

Gjatë këtij procesi, babai i dy të pandehurve ka marrë përsipër fajësinë dhe është dënuar. Trupi gjykues i Gjykatës së Kurbinit, me kryesues gjyqtarin Aurel Arapi në 2016 vendosi pushimin e çështjes për të pandehurin Besnik Sula. Por vendimi u apelua nga Prokuroria dhe Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi Besnik Sulën me 4 vite burg.

Kastrijot Sula gjatë bisedës me avokatin i kërkon llogari se ku kanë shkuar paratë që familja e tij i dha për gjyqtarët që do të lironin nga akuzat të vëllain. Avokati Dema shpjegon se 6 mije eurot i ka çuar atje ku kishte premtuar, pra tek gjyqtari i Kurbinit, dhe se më tej nuk mund të çante dot.

Por kur Kastrijot Sula dhe kunata e tij në një takim të dytë kërkojnë kthimin e 6 mijë eurove, avokati ndryshon sjellje dhe thotë se paratë u harxhuan për shpenzime gjyqësore. Pas këmbënguljes së qytetarit avokati Dema largohet duke dhunuar qytetarin.


Shtuar 16.06.2020 18:05