Mjekja italiane zbulon kërkesat e pacientëve në momentet e fundit të jetës

“Ata janë të kthjellët, nuk hyjnë në narkolepsi. Është sikur të jenë duke u mbytur, por me kalimin e kohës e kuptojnë atë”

Një mjeke italiane përshkroi momentet e fundit të pacientëve me koronavirus duke thënë se ata duan ti japin lamtumirën familjarëve kur kuptojnë se po vdesin.

Francesca Cortellaro nga spitali San Carlo Borromeo në Milano është pjesë e stafit mjekësor dhe ka folur publikisht për luftën me koronavirusin.

“E dini se çfarë është më dramatike? Të shohësh pacientët që vdesin vetëm, duke i dëgjuar ata ndërsa u thonë lamtumirë fëmijëve të tyre, nipërve dhe mbesave. Ata janë të kthjellët, nuk hyjnë në narkolepsi. Është sikur të jenë duke u mbytur, por me kalimin e kohës e kuptojnë atë”, tha ajo.

Mjekja përshkroi momentin se si një gjyshe i kishte kërkuar asaj të shihte nipin e mbesën.

“Unë nxora telefonin dhe e telefonova. Ata thanë lamtumirë. Shumë shpejt ajo ndërroi jetë. Deri tani kam një listë të gjatë të thirrjeve që kam bërë me video”, tregoi mjekja.

Italia është vendi i dytë në botë pas Kinës që ka një numër të lartë viktimash dhe të prekurish. Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 250 persona, prandaj e gjithë Italia është shpallur zonë e kuqe.


Shtuar 13.03.2020 19:39