Miratohet vendimi: Kategoritë që përfitojnë dhe nuk përfitojnë shumën 40 mijë lekë

Atë që e premtoi ditë më parë për ndihmën financiare prej 400 mijë lekësh të vjetra, qeveria e ka kthyer në vendim duke e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Bëhet fjalë për të punësuarit në subjektet me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 lekë, të cilët kanë mbyllur aktivitetet sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Vendimi parashikon që shuma do të përfitohet edhe nga ish-të punësuar të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të këtyre urdhrave deri në datën 10 prill 2020. “Dita e dorëzimit të E-sig 027 nuk duhet të jetë më e vonë se data 10 prill 2020”, sqaron vendimi.

Përfitues gjithashtu janë punonjësit e subjekteve, persona fizikë ose juridikë, që ushtrojnë aktivitetin si struktura akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesa deri në datën e urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në vendim parashikohen edhe kategoritë që nuk e përfitojnë, si ata që janë punësuar në veprimtaritë e tregtimit të produkteve ushqimore, fruta–perime, farmaceutike; avokatët, noterët, mjekët e specializuar, farmacistët, infermierët, veterinerët, arkitektët, inxhinierët, mjekët-laborant, projektuesit, ekonomistët, agronomët, ekspertët kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë.

Gjithashtu, nuk përfitojnë individët e punësuar, të cilët kanë realizuar për vitin 2019 të ardhura bruto nga paga mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë si dhe organizatat jofitimprurëse.

Ii. Kriteret dhe dokumentacioni

Ndihma financiare llogaritet dhe jepet për të punësuarit që figurojnë në listëpagesat e përditësuara sipas formularit ESig-027, deri në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare bëhet nga subjekti i të punësuarit, ndërsa punonjësi që është në më tepër se një listëpagesë përfiton si ndihmë financiare vetëm një pagesë.

Subjektet aplikuese duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet portalit e-filinig, kërkesën me të dhënat e përfituesve, ku përfshihen: a) të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS; b) të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë: i. emrin, mbiemrin, numrin e telefonit, adresën e-mail-it; ii. numrin personal të identifikimit të përfituesit; iii. bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; IBAN-in e llogarisë bankare.


Shtuar 17.04.2020 21:50