Meta reagon sërish për Kodin Zgjedhor: Ky mur do të shembet nga 3 milionë shqiptarë

Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar sërish lidhur me miratimin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Sipas Metës, populli shqiptar do të jetë në lartësinë që e kërkon detyra, dhe në 25 Prill do ndëshkojë me votë këtë qeverisje.

“Ky mur do shembet nga tre milion shqiptarë në 25 Prill, por edhe më parë nëse është e domosdoshme”, shprehet Meta.

Reagimi
Shkatërrimi brutal i Marrëveshjes së 5 Qershorit ishte vetëdemaskimi i “Rilindjes” si përfaqësuese e pakicës së pakicës apo thjesht oligarkisë dhe bandave.

Populli shqiptar do të jetë në lartësinë që e kërkon ky moment historik për rrëzimin e murit kriminal të “Rilindjes” që është vendosur nga dje në rrugën e integrimit europian.

Ky mur do shembet nga tre milion shqiptarë në 25 Prill, por edhe më parë nëse është e domosdoshme.

Shqipëria e Para! Shqipëria si gjithë Europa!


Shtuar 6.10.2020 07:48