Meta: Opozita nuk ka vendosur si kusht qeveri tranzitore

Presidenti Ilir Meta, në një komunikim me mediat ka folur për qëndrimin e tij në lidhje me çështjet e aktualitetit politik.

Teksa komentoi procesin e reformës zgjedhore, Meta tha se opozita nuk e ka vendosur si kusht krijimin e qeverisë tranzitore.

“Nuk kam qenë pjesë e diskutimeve dhe nuk e shoh të arsyeshme që të bëhem, apeloj për konsensus sa më të shpejtë, është detyrim për qytetarët shqiptarë që të kenë sa më shumë siguri që vota e tyre do të jetë e lirë dhe e barabartë.

Është detyrim ndaj procesit të integrimit, data 8 qershor është shumë e rëndësishme dhe shpresoj që të arrihet sot, nesër apo ditët e ardhshme, që KE të shënojë një rezultat pozitiv. Duket se ka një progres, dhe duket se cështja ka mbetur për mirëbesim te disa aspekte dhe elementë që kurrësesi nuk duhet të rrezikojnë konsensusin.

Opozita nuk ka vendosur si kusht një qeveri transitore dhe mendoj se mospasja e një kushti të tillë e bën konsensusin të mundshëm. Shpresoj që të kemi një lajm pozitiv sa më shpejt”.


Shtuar 5.06.2020 10:59