Mërzitën gjithë shqiptarët, historia e gjithë përplasjeve Rama- Haradinaj

Zhurma e madhe që po zhvillohet rreth një rasti të paprecedent, atij kur kryeministri shqiptar merr guximin të denoncojë në një gjykatë homologun e tij kosovar, ka një zanafillë konfikti dhe përplasjeje politike. Edi Rama dhe kryeministri në largim Ramush Haradinaj, nuk arritën të kenë asnjëherë një mardhënie të mirë midis tyre. Përplasja nisi që në fillim të shkurtit 2016, një ditë përpara festimeve për shpalljen e pavarsisë së Kosovës.

Edi Rama pas lajmit të marrëveshjes se demarkacionit (përcaktimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi) deklaroi në një intervistë me Baton Haxhiun në Klan Kosova se mbajtja peng e saj ishte një shpikje e Ramush Haradinajt. E hedhur ashtu papërgjegjshmërisht, akuza qe e rëndë. Ramush Haradinaj kur ishte në opozitë, e kishte shndërruar demarkacionin në një kauzë të vetën. Për të ai kishte hedhur bomba tymuese dhe kishte penguar për një kohë të gjatë punimet e parlamentit të Kosovës. Rrethanat dhe ngjitja në pushtet e detyruan atë të gëlltise mbi atë që kishte nxjerrë nga goja dhe t’a pranonte marrëveshjen e kufirit që ishte vënë si kusht nga bashkësia ndërkombëtare për liberalizimin e vizave me BE.

Pra, t’a akuzoje Hardinajn, këtë ish komandant të UCK-së, se për axhendën e tij politike, për tekat e tij, po mbante peng qytetarët kosovarë, qe akuza më e rëndë që mund të bëhej.

Pikërisht për këtë kryeministri kosovar reagoi flakë për flakë. “Edi Rama le të merret me shpikjet e veta se i dalin boll” shkroi i revoltuar Ramushi.

Edi Rama i parandjeu shpejt efeketet e gafës që kishte bërë dhe nxitoi t’i trokiste natën vonë në derën e shtëpisë homologut kosovar. Këshilltarët e tij mediatikë rendën të publikojnë foton e tyre të pajtuar.

Zenka e tyre e parë në publik u shua shpejt, por fatkeqësisht ajo nuk ishte e fundit. Shumë shpejt mes tyre do të vendosje debati i “Taksës 100%” ndaj prodhimeve serbe. Fillimisht, gjatë samitiit folklorik me duar mbi flamur, Rama e pati mbështetur vendosjen e kësaj takse që e pati krahasuar me një klithmë të domososhme (shkrimi poshtë).

Pra, përplasja mes dy kryeministrave u rindez pas samitit të Berlinit. Në një intervistë për televizionin kosovar T7, shefi i qeverisë deklaroi se gjatë mbledhjes së liderëve ballkanikë, Rama dhe Hashim Thaçi i bënin atij më shumë presion se Merkeli dhe Makroni për të hequr taksën për produktet serbe.

Edi Rama nuk e duroi dot këtë paraqitje ku shfaqej me dy fytyra. Ai shkroi një letër të gjatë (shkrimi poshte) kundër Haredinajt, ku në fakt e akuzonte atë për dy gjëra krejtësisht kontradiktore me njëra tjetrën; edhe se po gënjente edhe se po thyente kodin e nxjerrjes në publik të bisedave konfidencale.

Dhe pas këtyre akuzave ai do thyente vetë konfidencialitetet:

“Askush s’i ka bere Ramushit presion ne Berlin per te hequr taksen. Une jo e jo. Madje askush as ia ka kerkuar hiç qe ta heqe taksen! Une jo e jo. Perkundrazi.

Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, kane nxitur nje diskutim informal ne holl mbi rifillimin e dialogut. Kam nderhyre vetem njehere, duke thene se ata duhet te hynin vete ne proces. Me tutje i kane kerkuar me shume durim dhe disa here Ramushit jo ta heqe taksen, po thjesht te jape pelqimin qe taksa te pezullohet perkohesisht, per 6 muaj apo edhe per 4 muaj qofte, duke u zotuar qe te hyjne ne procesin e dialogut Kosove- Serbi ata vete. Edhe te dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!

I kam sugjeruar Ramushit ne dy momente ta pranoje kete kerkese te tyre, sepse kam menduar dhe mendoj qe perfshirja direkte ne nivelin me te larte e Gjermanise dhe Frances, boshtit te Bashkimit Europian, u shfaq si nje mundesi e re dhe shume e favorshme per ta shtruar çeshtjen e finalizimit te dialogut, ne nivelin me te larte te mundshem“, sqaronte atëherë Rama.

Po të lexohet me vëmendje kjo letër e Ramës, aty nuk përmendet argumenti i heqjes të vizave për kosovarët, që Makroni e paskësh premtuar në këmbim të pezullimit të taksës. Për këtë Rama do të fliste vetëm më vonë. Ama ky konflikt i majit 2019 do ti ndante dy kryeministrat përfundimisht.

Sherri tjetër, ai për të cilin me sa duket do të përballen në gjykatë, do të shpërthente në tetor. Në padinë e avokatëve të Ramës shkruhet: “Në datën 17.10.2019 dhe 29.10.2019, i padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360 gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”.

Në fakt në intervistën me Artur Zhejin, Haredinaj pati thënë se ai, me anë vendosjes së taksës dhe ngrirjes së dialogut me Serbinë, kishte shpëtuar minierën e Trepçës nga ndarja, si një ndërmarrje me shumë fitim që ishte parashikuar ti takonte serbëve në planin e ndarjes së kufijve.

“Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë euro, Trepçja jep një fitim neto rreth 500 milionë euro në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë euro, të cilat duhet ti gëzojë Kosova dhe jo Serbia”. Unë Ndalova grabitjen e këtyre 10 miliardë euro, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçes, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”.

Pikërisht kjo deklaratë e ka bërë Ramën që të nisë procedurat për padinë 30 faqshe që ka dorëzuar së fundi në gjykatën e Prishtinës. Këtë ghë ai e kishte paralajmëruar që pesë muaj më parë gjatë një interviste në Opinion, ku tha se do të takohej me Haredinajn, njësoj si me Berishën në proces për shpifje.

Por, para se takimi i tyre në gjyq të bëhej publik Rama dhe Haredinaj konsumuan edhe një sherr në distancë gjatë kohës që kryeministri shqiptar shoqëronte presidentin serb Vuçiç në Tiranë. Gjatë samitin për mini shengenin ballkanik, në konferencën e shtypit, Vuçiç i hoqi vërejtjen publikisht mikpritësit të tij. “U mërzita me mikun tim Edi që gjithmonë mbrohet. Pse duhet të mbrohet, nga çfarë duhet të mbrohet, që po përpiqemi për më të mirën për vendet tona? Që po mbrohemi nga ata që po përpiqen të na çojnë mbrapa në shekullin e 17-të?” tha ai.

Dhe menjëherë pas kësaj, duke përfituar nga fakti se Haredinaj e kishte quajtur këtë mbledhje si një sebep për të hequr taksën, Rama nxitoi ta cilësonte atë si: “gënjeshtar dhe i paditur”.

Tani për turpin e të gjithëve përfaqësuesit e dy shteteve të një kombi do të luajnë komedinë e radhës si personazhet e zonjës Eni: do të takohen në gjyq.


Shtuar 21.01.2020 08:06