Merret vendimi për gjyqtaren Mimoza Margjeka dhe bashkëshortin e saj

GJKKO ka dhënë masën “arrest shtëpie” për gjyqtaren Mimoza Margjeka, ndërsa ka lënë në burg bashkëshortin e saj Arben Cara, së bashku me 2 persona të tjerë të përfshirë, të cilët akuzohen për korrupsion.

Ndërsa avokati Skënder Demiraj, është lënë në “arrest shtëpie”, i përfshirë gjithashtu në skemën e korrupsionit për të ndryshuar masën e sigurisë kundrejt 6000 eurove ndaj të dënuarit Orion Bali, nga “arrest në bùrg” në “garanci pasurore” .

Brenda sallës së gjyqit, mësohet se gjyqtarja ka mohuar marrjen e rryshfetit për dhënien e një vendimi. Margjeka është shprehur se ajo nuk e mban mend fare çështjen për të cilën akuzohet, dhe se personin e kishte lënë të lirë përmes garancisë pasurore. Ndërkohë që ajo ka folur dhe për pronarin e një hoteli në Korçën Klaudio Zhilla, me të cilin dyshohet se burri i saj ka bërë pazaret, për të cilin thotë se ai sdo guxonte kurrë që t’i kërkonte asaj një ndryshim vendimi.

Sakaq Margjeka shprehet se ajo është e detyruar që të qendrojë përherë në të njëjtin hotel në Korçë për shkak të vajzës së mitur, dhe se ajo ishte familjarizuar me vajzën e pronarit të hotelit, aq sa hanin edhe petulla bashkë.

Ndërkohë që edhe avokati Skënder Demiraj nuk ka pranuar të ketë marrë para në lidhje me ndryshimin e masës. Para gjykatës ai është shprehur se është burrë i moshuar dhe nuk ka marrë asnjë qindarkë. Në lidhje me përgjimet e nënë e bir, Nejton e Afëdita Bali, avokati shprehet se djali ka dashur të marrë para nga e ëma, por jo për të paguar gjyqtarët.


Shtuar 12.09.2020 13:19