Mero Baze nuk kursehet, sulmon Majkon dhe e quan hipokrit: U struk në vilën e Golemit!

“Më shumë ra në sy hipokrizia e tij pas betejës dhe shkopi magjik që ka paska shpikur për zgjidhjen e krizës…”

Gazetari Mero Baze, i ka dedikuar një shkrim në gazetën “Tema”, situatës së Kakavijës dhe kaosit që u zhvillua aty prej ditësh.

Ndër të tjera, Baze analizon veprimet e Ministrit të Diasporës Majko, ndaj të cilit ka një reagim mjaft të ashpër.

Baze e quan Majkon një hipokrit, që i telefonoi kryepeshkopit Anastas, për zgjidhjen e krizës në Kakavijë edhe pse ky i fundit nuk kishte asgjë në dorë, për të justifikuar faktin se vetë ministri ndodhej me pushime në vilën e tij në Golem.

Pjesë nga shkrimi i Bazes:

“Por më e ligë se kjo beteja pas pilafi e Ilir Metës, mu duk protagonizmi fallco i Pandeli Majkos. Ministri i Diasporës paskësh telefonuar hirësinë e tij, kryepeshkopin Anastas.

Hirësia e tij, kryepeshkopi Anastas, jam i bindur që nuk do të linte gjë pa bërë, që ajo krizë të mos ndodhte, edhe nëse ishte në dorë të Zotit, edhe nëse ishte në dorë të grekëve, apo shqiptarëve. Do ta bënte këtë dhe pa i telefonuar Pandeli Majko, pasi është personaliteti më me ndikim në hapësirën Shqipëri-Greqi, e më tej.

Por hirësia e tij në këtë rast kishte në dorë vetëm për t’u lutur në meshën e mëngjesit të dielën e kësaj jave për vuajtjet e emigrantëve se gjë tjetër nuk ka pasur çfarë të bëjë.

Ne nuk ishim para ndonjë komploti nga pala greke dhe hirësia e tij të na ndihmonte pas telefonatës Pandeliut. Nuk ishim as përballë ndonjë qëndrimi nacionalist, apo sherri nga pala shqiptare, që ai ta zgjidhte. As Qeveria greke nuk e zgjidhte dot më atë krizë, pasi duhet të ndryshonte rregullat e veta, gjë që nuk kishte pse ta bënte, se i kishte njoftuar qytetarët në kohë.

Pandeli Majko, thjesht ka shqetësuar hirësinë e tij Anastas, në atë moshë dhe në atë gjendje shëndetësore, për të justifikuar strukjen e tij në vilën e pushimit në Golem dhe mos shfaqjen publike si ministër i Diasporës në Kakavijë, ku të paktën të shpërndante ato lojërat “Mos u nxeh”, se e bëri që e bëri atë tenderin në mes të pandemisë.

Por nga ana tjetër mund të jetë i qetë, pasi nuk është se ra në sy mungesa e kontributit të tij në këtë krizë. Më shumë ra në sy hipokrizia e tij pas betejës dhe shkopi magjik që ka paska shpikur për zgjidhjen e krizës.

Ndjesë hirësisë së tij, kryepeshkopit Anastas, që duhet ta përfshijmë në këtë debat, por nuk e ka prej nesh këtë telash.

E ka prej Pandeliut, që mirë që i ka prishur qetësinë dhe e ka bërë të vuajë pamundësinë e ndihmës ndaj emigrantëve, por do ta keqpërdorë këtë, sikur ne kishim një krizë me Greqinë e na duhej të na e zgjidhte një mik i madh i shqiptarëve dhe grekëve, siç është hirësia e tij kryepeshkopi Anastas.

Tani për fat kriza u zgjidh dhe Ilir Meta mund të vazhdojë të pijë raki në Pilur dhe Pandi të pijë birra në Golem, se nuk ishin të nevojshëm as para katër ditësh kur vdisnin njerëz, e jo më sot, kur duan ta shpallin veten heronj të një beteje që nuk e kanë bërë kurrë.

Realisht, ata meritojnë të jenë vìktìmā të kësaj krize, njëri si president dhe tjetri si ministër Diaspore. Por ngaqë nuk i merr njeri seriozisht, e kanë këtë lirinë të shpikin historira. Kështu e kanë shtyrë 30 vjet”, shkruan Baze në gazetën Tema.


Shtuar 18.08.2020 21:11