Mblidhet sot komisioni i Reformës Zgjedhore

Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore është mbledhur paraditen e sotme online, pas 6 javësh ndërprerje si pasojë e koronavirusit.

Dy bashkëkryetarët Damian Gjiknuri i mazhorancës dhe Rudina Hajdari, e pakicës paralmentare, po informojnë anëtarët e këtij komisioni për ecurinë e deritanishme të procesit të reformës.

Raportimi do të bëhet për periudhën nga momenti i krijimit të Këshillit Politik me pjesëmarrjen e opozitës jashtë parlamentare dhe deri ne fillim të muajit mars kur puna u ndërpre për shkak te situatës së krijuar nga Covid 19.

Mësohet se, PS dhe PD janë dakordësuar në parim për ndryshimin e periudhës zgjedhore duke e ngushtuar në afat kohor. Deri sot kodi zgjedhor parashikon që zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore, të zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri në 30 qershor ose nga 15 shtatori deri në 30 nëntor.

Por me propozimin e ri të hedhur në këshillin politik për reformën zgjedhore periudha zgjedhore parashikohet të tkurret në 30 ditë, përkatësisht nga 15 prilli deri në 15 maji dhe 1 tetor deri në 30 tetor. Në qoftë se Parlamenti do ta miratojë këtë ndryshim zgjedhjet parlamentare të 2021, do të mbahen më herët, pra maksimumi në datën 15 maji.

Propozimi për ndryshimin e periudhës zgjedhore është bërë me argumentin se proceset elektorale të cilat kryesisht zhvillohen brenda muajt qershor por që përmbyllja totale e tyre kap edhe muajin gusht, ndikon negativisht në turizëm.

Komisioni i posaçëm parlamentar ka afat për të diksutuar dhe miratuar ndryshimet e bëra në tryezën politike deri në 30 qershor të këtij viti. Reforma zgjedhore është një nga kushtet kryesore për procesin e negociatave të Shqipërisë me BE dhe duhet të jetë e miratuar para konferencës së parë ndërqeveritare.


Shtuar 6.05.2020 08:25