Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka folur sot nga Elbasani për zërat që thonë se ai do të largohet nga ky post.
Lleshaj tha për gazetarët se nuk do ta japë dorëheqjen dhe se do të vazhdojë përpara pasi ka një mision për të kryer.
“Asnjë deklaratë e kundërt nuk ka qenë, as në Shkodër as në Vlorë, thjesht kam dhënë përgjigje logjike për pyetje të tilla. Nuk kam dhënë dorëheqjen, tani jam në detyrë. Unë nuk dorëhiqem, unë ec përpara sepse kam një mision për të kryer, kam një përgjegjësi zyrtare”, tha Lleshaj.
Lidhur me shpërthimin e mbrëmshëm në kryeqytet, Lleshaj u shpreh se kjo tregon se krimi mbetet sfidë e madhe me të cilën policia duhet të ballafaqohet.
“Nuk mund të lë pa përmendur sulmin e djeshëm, goditje e shëmtuar e pabesë ndaj sigurisë publike. Kjo na provon se krimi mbetet sfidë e madhe me të cilën duhet të përballemi fort me vendosmëri me inteligjencë dhe në mënyrë të pandërprerë. I kam kërkuar drejtuesve të policisë së shtetit për ta zbardhur sa më parë këtë krim, për ta goditur atë në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe prokurorinë”, tha Lleshaj.