Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar për deklaratën e Presidentit Meta për grusht shteti duke thënë se ideja që kreu i shtetit është individ i vetërregullueshëm ka vdekur.
Me anë të një shkrimi në Facebook, Lleshaj thotë se ka ardhur koha për të kornizuar me ligj funksionimin e institucionit të Presidentit!
“Koha për të kornizuar me ligj funksionimin e institucionit të Presidentit! Prej 20 vjetësh diskutohet dhe harrohet. Por siç po duket deri në dhimbje tanimë, ideja se kreu i shtetit është individ i vetërregullueshëm, ka vdekur! Republika Parlamentare nuk diskutohet, respektohet.
Fakti që Policia e Shtetit duhet të hyjë në historinë e planetit si e para polici në botë që garanton tubimin antiqeveritar të kreut të shtetit, flet më shumë se një miliardë fjalë për çrregullimin e skajshëm të zotërisë që e ka kthyer Presidentin në një absurditet folklorik”, shkroi Lleshaj.
Më 2 mars, Presidenti Ilir Meta ka ftuar popullin që ti bashkohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të krijuar atë që ai e ka konsideruar si “Besëlidhja kundër grushtit të shtetit”.
Në një dalje tjetër për mediat, Kreu i Shtetit sqaroi se aty do të firmosë një dekret të rëndësishëm për çmontimin e këtij grushti shteti.