Lala: Ekzekutimi i dy vëllezërve në Durrës, si rrjeta e merimangave

Gazetarja Klodiana Lala bëri një deklaratë të fortë në emisionin “Real Story”, nëNews24, teksa foli për vrasjet e ndodhura një ditë më parë në Durrës dhe Lezhë, ku u ekzekutuan katër persona, ndersa shtoi se “do të kemi rritje të krimit, për shkak të izolimit të shoqërisë nga koronavirusi”.

Vrasja e dy vëllezëve në Durrës sipas saj është një lloj krimi si rrjeta e merimangave dhe do të duhet kohë për ta zbardhur.

Lala shtoi se krimi i organizuar nuk ka qëndruar asnjë moment në karantinë, por e ka shfrytëzuar këtë periudhë dhe në momentin e parë që u hap fasha bëri dy goditje.

“Do e ndaj në dy pjesë, dhunën që ndodh brenda familjes. Ne si shoqëri kemi pas probleme të tilla dhe sigurisht që edhe gjatë karantinës do të ketë.

Do të kemi një rritje të krimit, do të jetë krimi rrugës, krimi në familje, sepse debati më i madh që lind mes bashkëshortëve, është për çështje ekonomike.

Në rrafshin praktik, policia do ta ketë shumë të vështirë të parandalojë këto raste të dhunës në familje, sherreve, krimeve të rrugës, për shkak edhe të pandemisë.

Policia ka mungesë të theksuar të burimeve njerëzore, moskoordinim të caktuar për administrim të situatës, ka punuar me orë të zgjatura dhe mbase nuk është paguar. Për këto arsye, polici nuk mund të jetë kudo.

Kjo për krimin ordiner. Sa i përket krimit të organizuar, nuk ka qëndruar në asnjë moment në karantinë, por i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe në momentin që u hap pak fasha, bëri dy goditje njëherësh. Krimi i organizuar po shfrytëzon situatën për të larë hesapet.

Policia nuk mund të jetë kudo. Pra, do të duhen prova shkencore për arrestimet e të dyshuarve. Duhen prova, që të mos kundërshtohen nesër, ndryshe policia do të dështojë të nesërmen në përballjen në gjykatë. Duhen vënë disa prioritete, që disa momente të vështira, si krimi në familje, krimi i organizuar, nuk duhen harruar për asnjë moment. Ngjarja e Durrësit është tamam si ajo rrjeta e merimangës dhe do dojë kohë të zbardhet”, tha Lala.


Shtuar 28.04.2020 21:40