Laborator i dytë për analizat e koronavirusit? Manastirliu tregon ç’po ndodh

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se po përgatitet një laborator i dytë për kryerjen e analizave nga koronavirusi.

Ajo deklaroi n total janë 563 testime dhe janë 51 raste të konfirmuara pozitive.

“Te Infektivi, tani janë 24 të shtruar, 3 në reanimacion, vetëm një rezulton që të jetë i intubuar. Situata në vend paraqitet me raste të shtuara sikur shihet pas javës së parë kemi një rritje dhe do të vijojnë të identifikohen, një punë e madhe po bëhet në terren. Po vijojmë me disa masa të rrepta, akti normativ dhe të gjitha masat janë të fokusuara drejt strategjisë që vendet po ndjekin dhe Shqipëria i ka marrë në kohën e duhur, në raport me kufizimin e përhapjes së infeksionit”, deklaroi ministrja.

Manastirliu bëri me dije se të gjitha testimet që realizohen ndjekin një rrugë që ka lidhje me udhëzimet e OBSH-së me shpalljen e pandemisë, Komiteti Teknik ka miratuar edhe përkufizimin kur merret monstrat.

E pyetur në ‘5 pyetje nga Babaramo’ se drejtori i OBSH-së tha që duhet të bëhen sa më shumë teste për të kuptuar përmasat ajo deklaroi se “Drejtori ka thënë që duhet të testuar me teste të sigurta dhe ne jemi duke punuar vetëm përmes sigurisë së laboratorit në ISHP, por edhe atij në QSUT për një garanci më shumë. Jemi duke ndërmarrë masat dhe do të jemi nxënës të gjithë OBSH-së kur flitet për sigurinë. Ne kemi sasi të konsiderueshme të tamponave, mos shqetësoheni fare, ne kemi pajisjet e nevojshme dhe po hapim laborator tjetër. Edhe sot edhe në fund të javës do të vijnë teste”.


Shtuar 16.03.2020 20:57