Kryemadhi bën paralajmërimin e fortë: Mos u çudisni nga dyfishimi i çmimeve!

Monika Kryemadhi ka folur gjatë për Konferencën e Donatorëve që u zhbvillua ditën e djeshme duke e konsideruar pjesën më të madhe nga shuma totale prej 1.15 miliardë eurosh, si një borxh që do të paguhet nga shqiptarët.

Kryemadhi ka vlerësuar mbështetjen e dhënë nga vendet e BE-së por jo vetëm, ndërsa ka theksuar se ajo nuk ishte ndaj qeverisë dhe politikës, por ndaj shqiptarëve një pjesë e të cilëve ende pa asnjë zgjidhje jetojnë nëpër çadra që prej tërmetit të Nëntorit.

“Ne sot ndihemi më të rrezikuar se kushdo tjetër. Falenderoj të gjithë miqtë e shqiptarëve që në takimin e djeshëm në Bruksel, ofruan mbështetjen e tyre përmes granteve apo kredive. Kjo bujari nuk ishte as ndaj Edi Ramës, as ndaj politikës, por ndaj atyre shqiptarëve që enden pas 3 muajshm nëpër çadra, ndaj atyre që kanë marrë shtëpi me qera dhe i paguajnë me çmime të shtrenjta dhe pa mbështetje. Nuk kontrollohen nga qeveria për të dhënë para të ndihmesës për ato që humbën shtëpitë.

E gjithë kjo bujari e komunitetit europian është një mirënjohje ndaj Shqipërisë. Pasi u zbraz dhe u zbërthyer skema e kontributeve se ishte meritë e kryeministrit, bravo i qoftë nëse është meritë e tij, por nuk mund të thuash se është meritë e kryeministrit të marrësh 800 milionë euro borxhe që do paguhen me taksat tona. Nëse kemi paguar deri dje faturën e energjisë 70 mijë lekë të vjetra, mos u çudisni kur të shikoni që kjo faturë të dyfishohet, taksat e bashkisë apo çmimi i karburantit, ujit etj të dyfishohen. Pse? Se duhen paguar këto kredi dhe borxhe”, tha ndër të tjera Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së ka shprehur dyhsimet e saj para përkrahësve në Durrës se me këto ndihma mund të abuzohet ndërsa ka theksuar se Edi Rama po tenton që në procesin e rindërtimit të punësojë të huajt ndërsa shqiptarët sipas saj po përzihen me valixhe në duar duke lënë çdo ditë e më tepër vendin.

“Këto para do tentojnë ti fusin në xhepat e tyre ndërsa banorët do të vijojnë të qëndrojnë nëpër çadra. Kjo nuk është qëllimi ynë të merremi me atë që bën ky zotëri, qëllimi ynë është të tregojmë se fatet e shqiptarëve si ka as Edi Rama as LSI-ja por vetë shqiptarët. Edi Rama nuk ka ndërmend që të punësojë shqiptarët në procesin e rindërtimit, por të punësojë njerëzit që vijnë nga jashtë dhe të përzërë shqiptarët me valixhe ne duar që ikin çdo ditë e më tepër”.


Shtuar 18.02.2020 18:07